Lidhje

Familja e ish-kryeministrit të vrarë libanez përshëndet raportin e OKB-së


Familja e ish-kryeministrit libanez Rafik Hariri përshëndeti përfundimet e raportit të OKB-së, ku thuhet se zyrtarë të lartë sirianë dhe libanezë kishin lidhje me vrasjen e tij.

Saad Hariri, i biri i Rafik Haririt dhe udhëheqës i kundërshtarëve të Sirisë në parlamentin libanez, tha sot në një fjalim në televizion se familja e tij kërkon drejtësi, jo hakmarrje. Ai bëri gjithashtu thirrje që çështja të shkojë para një gjykate ndërkombëtare, e cila të jetë në gjendje të dënojë fajtorët.

Në Damask, një zyrtar i ministrisë së jashtëme tha se Siria ka bashkëpunuar me hetimet që u drejtuan nga prokurori gjerman Detlev Mehlis. Ai përsëri mohoi se Siria ka patur dorë në vrasjen dhe tha se raporti ishte i njëanshëm.

Ndërkohë në Beirut, Kabineti pritet të mblidhet për të diskutuar raportin, sipas të cilit vendimi për vrasjen e zotit Hariri më 14 shkurt, nuk mund të ishte marrë pa miratimin e zyrtarëve të lartë sirianë të sigurisë, në bashkëpunim me homologët e tyre libanezë.

XS
SM
MD
LG