Lidhje

Banorët e ishujve Keys të Floridës fillojnë evakuimin, në pritje arritjes së uraganit Vilma


Banorët e ishujve Keys të Floridës filluan evakuimin e detyrueshëm, ndërkohë që ky shtet juglindor i Amerikës përgatitet për ardhjen e uraganit të fuqishëm Vilma të hënën.

Vilma ndodhet tani mbi gadishullin Yucatan të Meksikës, ku po shkakton dëme të shumta.

Qendra Kombëtare e Uraganëve në Miami thotë se erërat e stuhisë janë dobësuar pak dhe tani kapin shpejtësinë 185 kilometra në orë. Por Vilma vazhdon të jetë një uragan jashtëzakonisht i rrezikshëm me erëra të forta dhe shira të rrëmbyer.

Sipas parashikimeve, uragani që po lëviz me ngadalë do të vazhdojë të dobësohet ndërsa shkon gradualisht drejt veriut, por pritet që të mbetet në skajin e gadishullit Yucatan gjatë pjesës më të madhe të ditës.

Dëmtimet pritet të jenë të mëdha për shkak se uragani ndodhet mbi gadishull që prej rreth 36 orësh.

Njoftime nga qyteti turistik i Kankunit bëjnë të ditur se dallgët e stuhisë nga deti i Karaibeve e kanë përmbytur zonën e hoteleve dhe priten përmbytje të tjera në zonën bregdetare. Mijëra turistë që nuk kanë mundur të ikin nga kjo zonë, po i shmangen stuhisë duke shkuar në strehime emergjence.

Stuhia goditi në fillim dje ishullin e Cozumelit të Karaibeve meksikane. Pritet që ajo të godasë Kubën perëndimore nesër dhe Floridën të hënën.

Uragani Vilma ka shkaktuar vdekjen e të paktën 10 vetave në Karaibe.

XS
SM
MD
LG