Lidhje

Presidenti Bush emëron drejtorin e ri të Rezervave Federale


Presidenti Bush emëroi këshilltarin e tij kryesor ekonomik, Ben Bernanke për të pasuar drejtorin e tanishëm të bankës qendrore amerikane Alen Greenspan.

Duke bërë njoftimin të hënën në Uashington, Presidenti Bush tha se zoti Bernanke gëzon respekt të thellë mes komunitetit global financiar.

Njoftimi u prit mirë nga ekonomistët dhe çmimet e aksioneve në bursën e Nju Jorkut reaguan pozitivisht. Në komentet e para zoti Bernanke premtoi të vazhdojë politikat bazë të zotit Greenspan, që i ka dhënë drejtimin ekonomisë amerikane për gati dy dekada.

Në se konfirmohet nga Senati, zoti Bernanke do të marrë postin më të fuqishëm ekonomik në Shtetet e Bashkuara.

Rezervat Federale, siç njihet banka qendrore amerikane, hartojnë politikat monetare dhe mbikqyrin bankat dhe institucionet e tjera financiare në mbarë vendin.

Kush është Ben Bernake?

Një nga detyrat kryesore të bankës qendrore amerikane, që pritet të drejtojë zoti Bernanke është të mbajë inflacionin të ulët. Zoti Bernake, i cili aktualisht mban postin e drejtorit të Komisionit të Këshilltarëve Ekonomikë të presidentit, ka theksuar prej kohësh se banka qendrore mund të caktojë një kufi zyrtar për inflacionin. Analistët thonë se një kufi konkret do ta bënte më të lehtë për bizneset të parashikonin shkallën e interesave në të ardhmen dhe faktorët e tjerë ekonomikë.

Zoti Bernanke po ashtu mbështet një komunikim më të qartë midis bankës qendrore, tregjeve, investitorëve dhe gjithë atyre që ndikohen nga vendimet ekonomike.

Profesori Bernanke është diplomuar për ekonomi nga Universiteti i Harvardit dhe Instituti i Teknologjisë i Masaçusetsit. Më vonë ai ka punuar si profesor ekonomie në universitetin Prinston, ku u bë edhe kryetar i departamentit të ekonomisë. Profesori Bernanke është i martuar me dy fëmijë.

Kush është Alen Grinspen?

Kryetari i tanishëm i Rezervave Federale, Alen Grinspen, që po largohet nga detyra, ka qënë arkitekti kryesor i ekonomisë amerikane për dy dekada. Si kryetar zoti Grinspen ka mbajtur inflacionin në nivele të ulta dhe ka parandaluar rëniet ekonomike duke bindur anëtarët e bordit drejtues të bankës t’i përshtasin interesat sipas rrethanave. Gjykimi i tij respektohet gjerësisht dhe vëzhguesit e tregut i ndjekin dhe i analizojnë me imtësi gjithë komentet e tij për të kapur mes tyre tregues rreth prirjeve të ekonomisë.

Presidenti Bush e cilësoi zotin Grinspan si “një legjendë”, që e ka drejtuar ekonominë përmes krizave dhe ka luajtur një rol kyç në rritjen e fuqishme ekonomike të Shteteve të Bashkuara.

Në rininë e tij, zoti Grinspen ishte muzikant, i binte saksofonit dhe studioi në shkollën më të njohur të muzikës në Amerikë, në kolegjin e arteve Xhulliard dhe ishte anëtar i një bande muzikore gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Në moshën 18 vjeçare ai u shkëput nga muzika. Me bindje republikane, ai u zgjodh për të drejtuar Rezervat Federale nga Presidenti Ronald Regan në vitin 1987.

Alen Grinspen, 79 vjeç, është i martuar me korrespondenten kryesore të rrjetit televiziv NBC për lajmet nga bota, Andra Miçëll. //az//

XS
SM
MD
LG