Lidhje

Kosumi: Puna për realizmin e standarteve nuk ka përfunduar me raportin e ambasadorit Aide


Tani që Këshilli i Sigurimit ka dhënë dritën jeshile për fillimin e negociatave për statusin e ardhshëm të Kosovës, një nga pyetjet që po bëjnë më shpesh vëzhguesit është se sa të përgatitura janë palët për t'u përballur me sfidat që shtron ky proces. Për të diskutuar për këtë çështje, Zëri i Amerikës intervistoi në programin “Ditari” kryeministrin e Kosovës Bajram Kosumi.

Zëri i Amerikës: Pra, zoti kryeministër sa është e përgatitur Kosova për të hyre në dialog me Serbinë dhe cilat janë sfidat kryesore me të cilat do të përballet pala kosovare në këto bisedime?

Kryeministër Bajram Kosumi: Së pari më lejoni t’ju them se vendimi i Këshillit të Sigurimit në datën 24 të këtij muaji është i drejtë dhe vendimi i pritur në momentin e duhur, madje mes shumë politikanëve në Kosovë, edhe unë jam në mesin e atyre që besojnë se një vendim i tillë është dashur të merret edhe më herët. Shtyrja e procesit të fillimit të zgjidhjes së statusit final nuk sjell asnjë rezultat, prandaj ne, edhe qeveria, edhe klasa politike në përgjithësi në Kosovë, është përgatitur për të hyrë në këtë proces dhe për të marrë të gjitha përgjegjësitë e duhura për mbarëvajtjen e procesit, por edhe për fazën pas procesit, pas krijimit të shtetit të Kosovës. Duhet të them se sa është e përgatitur kjo klasë: është formuar delegacioni i Kosovës që është votuar edhe në Kuvendin e Kosovës dhe jemi në fazën e formimit të grupeve punuese dhe unë mendoj se shumë shpejt do të ketë rezultate në këtë drejtim. Por më duhet gjithashtu të them se e drejta nuk është vështirë të argumentohet dhe delegacioni i Kosovës dhe grupet punuese kanë për detyrë që në bisedat e ardhshme për statusin final të argumentojnë të drejtën e popullit të Kosovës për liri, për pavarësi dhe për paqe, stabilitet dhe prosperitet afatfgjatë. Por më duhet të them po ashtu që tashmë ky është një interes më shumë se sa i populli të Kosovës, është një interes rajonal dhe interes më i gjarë për të krijuar paqe dhe stabilietet në rajon, pra edhe në Kosovë.

Zëri i Amerikës: Cilat do të jenë vështiresitë kryesore të këtij dialogu, kur dihet se pala shqiptare dhe ajo serbe mbajnë qëndrime krejtësisht të kundërta për zgjidhjen e çështjes se Kosovës?

Kryeministër Bajram Kosumi: Ka shumë rreziqe për procesin në përgjithësi. Unë po përmend vetëm disa prej tyre, siç janë për shembull zgjatja e porcesit, vdekja klinike e procesit, ose funksionimi i strukurave paralele të Beogradit, të forcave të armatosura në Kosovë. Por një prej problemeve me të cilat po ballafaqohemi është ai i përfaqësuesve serbë në delegacionin e Kosovës. Është shumë e domosdoshme që serbët e Kosovës ta shohin veten pjesë e delegacionit të Kosovës dhe jo pjesë e delegacionit të Beogradit dhe kjo është në favor të së ardhmes së tyre të mirë dhe në favor të procesit në përgjithësi në Kosovë. Por ka dhe shumë vështirësi të tjera me të cilat do të ballafaqohemi gjatë procesit, por mendoj se interesimi i madh edhe i popullit të Kosovës, edhe i bashkësisë ndërkombëtare që ka investuar për ta sjellë procesin deri në këtë fazë, do të ndikojë pozitivisht që të gjitha këto vështirësi të përballen dhe të kemi një process të sukseshëm.

Zëri i Amerikës: Një nga kërkesat e bashkësisë ndërkombëtare për zgjidhjen e çështjes se Kosovës jane të drejtat e plota të pakicave. Në ç'pozitë jetojnë sot pakicat në Kosovë dhe sa është e gatshme qeveria juaj që të përmbushë standardet që kërkon bashkësia ndërkombëtare ne kete aspekt?

Kryeministër Bajram Kosumi: Standartet, që janë përcaktuar edhe nga bashkësia ndërkombëtare, ne gjithmonë i kemi konsideruar si një tregues të shkallës së zhvillimit të demokracisë në Kosovë. Edhe sot vazhdojmë t’i kuptojmë si të tilla. Kjo do të thotë se në radhë të parë, ato standarte ne i realizojmë dhe i jetësojmë për të mirën tone, për të mirën e fëmijve tanë, për perfeksionimin e demokracisë dhe të sistemit demokratik në vend. Kjo do të thotë se puna në realizmin e standarteve nuk ka përfunduar me raportin e ambasadorit Aide. Ne do të vazhdojmë të punojmë në të ardhmen shumë në këtë drejtim dhe gjithnjë do ta bëjmë në radhë të parë, për të mirën e popullit tonë dhe për të mirën e demokracisë sonë. Përsa i përket pakicave, në aspektin politik, juridik, në aspektin formal, pakicat në Kosovë gëzojnë të drejta maksimale, më shumë se në çdo vend tjetër. Tek ne janë disa vështirësi në aplikimin e këtyre të drejtave në praktikë dhe kryesisht, këto vijnë për shkak të një ftohtësie politike, apo për shkak të dyshimeve politike që ekzistojnë edhe në Beograd ndaj këtij procesi, por edhe në Kosovë tek shumica shqiptare, ndaj rolit të pakicës serbe në këtë process. Thënë më thjeshtë, ekziston një ftohje politike, sepse shumica shqiptare serbët e Kosovës i shohin si vegla të Beogradit për të penguar pavarësinë e Kosovës. Ndërsa në fakt, politikanët serbë të Kosovës fatkeqësisht nuk kanë munguar ta thonë publikisht se ata veprojnë politikisht për të penguar pavarësinë e Kosovës. Kjo vështirëson në praktikë ato që janë politika të drejta, parimore dhe moderne të qeverisë së Kosovës, për të drejtat e pakicave kombëtare, veçanërisht të komunitetit serb. Por duhet të theksoj fuqimisht se qeveria e Kosovës, Kuvendi dhe në përgjithësi qytetari i Kosovës e shikon çështjen e minoriteteve etnike me syrin modern dhe nga prizmi modern. Kjo do të thotë se Kosova do të jetë një shtet i qytetarëve të barabar

të dhe jo një shtet i një grupi të vetëm etnik.

XS
SM
MD
LG