Lidhje

Veprimtaria kriminale në internet


Në raportin e saj të fundit mbi kërcënimet që shfaqen në internet, kompania për mbrojtjen në rrjetin elektronik, Symantec thotë se gjithnjë e më shpesh po shfaqen mënyra të reja të përdorimit të kodeve kompjuterike për krime financiare. Raporti thekson se po rritet me shpejtësi veprimtaria kriminale që mbledh informata personale të përdoruesve të kompjuterave. Në vazhdim ju njohim me përpjekjet që po ndërmerren për t’iu kundërvënë këtyre elementëve kriminalë:

Eshtë fillimi i ditës së punës në qendrën Internet Storm, një ekip i përgjigjes emergjente i përbërë vetëm nga vullnetarë. Ata studiojnë të dhënat që përcjellin ndjesorët në mijëra kompjutera të tjerë në mbarë botën, në përpjekje për të zbuluar veprimtari të paligjshme në rrjet, ose prirje që paraqesin rrezik. Marc Sachs është drejtori i qendrës:

"Sulmi duket menjëherë në grafik dhe dhe disa minuta pasi diktohet, fillojmë të dallojmë një përhapje të një virusi të dëmshëm apo të një veprimtarie tjetër kriminale."- thote Sach.

Nëse diktohet një kod i dëmshëm, menjëherë dërgohen mesazhe në mënyrë që grupe ndërkombëtare dhe organizata private, të cilat veprojnë si ekipe të përgjigjes emergjente, të reagojnë për të ndalur efektin e dëmshëm:

"Sot shumica e vendeve, dhe e universiteteve kanë ekipe të përgjigjes së shpejtë për veprimtarinë kompiuterike. Edhe bizneset e mëdha kanë ngritur ekipe të tilla. Veprimtaria e tyre drejtohet nga një qendër bashkërenduese."- thote specialisti.

Eshtë e pamundur të dish kush po përdor internetin. Pikërisht kjo është një ndër pikat e dobëta të botës së rrjetit elektronik, gjë që përfaqëson një mjedis ideal për kriminelët.

Dan Larkin drejton Qendrën e Ankesave për krimet në internet pranë FBI-së:

"Pikërisht gama e gjerë e përdoruesve dhe e materialit i tërheq keqbërësit. Ajo u jep atyre mundësi të zgjerojnë veprimtarinë e tyre, të sulmojnë një numër më të madh viktimash për të siguruar fitime më të mëdha, duke ruajtur anonimitetin."- thote ai.

Një skemë e preferuar kanë qenë manipulimi i sistemit të faqeve elektronike të regjistruara në rrjet. Kriminelët i ridrejtojnë përdoruesit e internetit në faqe të tjera elektronike, pa e ditur ata vetë se çfarë po vizitojnë. Në ekran përdoruesit i duket se po kontroll faqen e tij bankare, por nganjëherë butonat që shtypin janë mashtruese. Michael Nelson është nëndrejtor i Shoqërisë për Internetin, një organizatë që ndihmon për përcaktimin e standarteve ndërkombëtare për internetin:

"Njerëzit vizitojnë këto faqe elektronike, fusin informatat për kartat e kredisë, emrin e tyre, kodin sekret dhe si rezultat humbasin mijëra dollarë. Vjedhja e identitetit është një industri që siguron miliarda dollarë fitime në vit."- thote ai.

Për t’i prerë rrugën kësaj veprimtarie specialistët po përpiqen të krijojnë metoda të sigurta për identifikimin e përdoruesve. Këto karta të reja identifikimi janë një zgjidhje e mundshme:

"Do të të kërkohet ta futësh kartën në kompiuter në mënyrë që të vërtetohet identiteti i përdoruesit. Identifikimi mund të realizohet edhe përmes shenjave të gishtave."- thote Neslon.

Për të qenë gjithmonë një hap para kriminelëve, agjentët e FBI-së janë detyruar të ndryshojnë kulturën tradicionale të punës. Ata bashkëpunojnë tani me shkencëtarë dhe me grupe të biznesit që janë ekspertë në këtë fushë:

"Ne u kërkojmë këtyre grupeve që të na vënë në kontakt me ekspertët e fushës së elektronikës, në mënyrë që këta elementë t’i angazhojmë në grupin e punës kundër krimit ndërkombëtar në internet."-thote Larkin.

Një tjetër ndryshim rrënjësor në punën e Byrosë Federale të Hetimeve ka qenë angazhimi i publikut. Më parë Byroja zhvillonte veprimtarinë e saj larg syve të publikut:

"Tani do të ndjekim dy përpjekje paralele: do të vazhdojmë përpjekjet për fuqizimin e konsumatorit për t’i informuar për problemet, dhe njëkohësisht do të vazhdojmë të luftojmë keqbërësit."- thote Narkin.

Si FBI-ja, dhe Qendra Internet Storm kanë faqe elektronike për të informuar publikun mbi skemat më të fundit të mashtrimeve që përdorin kriminelët. Aty mund të gjendet edhe këshilla dhe ndihmë teknike:

www.icc.gov dhe www.isc.sans.org

Por disa këshilla që duhen mbajtur gjithmonë parasysh, thone specialistet: Gjithmonë freskoni programet kompiuterike, përdorni programet kundër viruseve dhe si gjithmonë tregohuni të vëmendshëm.

XS
SM
MD
LG