Lidhje

Romë: Vendet e Mesdheut dhe Lindjes së Mesme mblidhen për herë të parë në një konferencë ndërkombëtare


Pjesëmarrësit në konferencën e parë ndërkombëtare mbi rajonin e Mesdheut dhe Lindjen e Mesme theksuan nevojën për të forcuar bashkëpunimin në luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar dhe formave të ndryshme të trafikut të paligjshëm. Konferenca tri-ditëshe po mbahet në Romë, në Qendrën për Studime të Larta të Mbrojtjes:

Një konferencë tri-ditëshe ndërkombëtare mbi rajonin e Mesdheut dhe Lindjen e Mesme u hap dje në Romë. Diplomatë, zyrtarë ushtarakë dhe akademikë u bashkuan për herë të parë për të diskutruar rreth problemeve të përbashkëta që ndikojnë zonat e tyre.

Synimi i konferencës është të bashkojë një numër sa më të madh vendesh që të jetë e mundur për të shkëmbyer pikëpamje dhe opinione në një nivel zyrtar.

Gjenerali Anselmo Donari i Qendrës për Studime të Larta të Mbrojtjes, e cila organizoi takimin, duket se kishte mbetur i kënaqur me rezultatet e ditës së parë të takimeve.

“Suksesi i parë ishte mbledhja e përfaqësuesve të 23 vendeve të Mesdheut në Romë, përfshirë ata të Adriatikut, të cilët deri tani nuk kanë patur ndonjë forum të tillë, ku të mblidhen të gjithë së bashku”.

Mes këtyre vendeve ishin Izraeli dhe Autoriteti Kombëtar Palestinez, vendet e Ballkanit dhe ato të Afrikës së Veriut.

“Të gjithë të pranishmit pranuan njëzëri rëndësinë strategjike të rajonit të Medheut. Ata shprehën shpresën për krijimin e një zonë tregëtie të lirë në Mesdhe brenda vitit 2010”.

Gjenerali Donnari tha se të gjithë përfaqësuesit ranë dakord për nevojën e forcimit të bashkëpunimit në luftën kundër terrorizmit, kontrabandës së armëve dhe trafikut të paligjshëm të drogës, qenieve njerëzore dhe veprave të artit.

Ai shtoi se zyrtarët pjesëmarrës në konferencë nënvizuan gjithashtu nevojën që të bëhet një dallim i qartë mes Islamizmit dhe dukurisë së terrorizmit.

XS
SM
MD
LG