Lidhje

Ekpertët paralajmërojnë ligjvënësit amerikanë për kujdes për marrëveshjen me Indinë


Ekspertët u thanë ligjvënësve amerikanë se ata duhet të shqyrtojnë me kujdes marrëveshjen e propozuar me Indinë mbi bashkëpunimin bërthamor civil, duke thënë se është e nevojshme që Shtetet e Bashkuara të ecin me kujdes drejt përfundimit të marrëveshjes.

Marrëveshja Amerikë-Indi do të kërkojë nga Kongresi të ndryshojë ligjet amerikane që ndalojnë bashkëpunimin me vende, përfshirë Indinë, të cilat nuk veprojnë në përputhje me traktate të rëndësishme ndërkombëtare mbi mospërhapjen bërthamore.

Megjithëse shumë ligjvënës e mbështesin marrëveshjen, ata kanë shqetësime serioze rreth hollësive, në mënyrë të veçantë ajo që shikohet si nevojë për sigurime të forta nga Nju Dlehi për sa u përket premtimeve të tij, mes të tjerash për të veçuar programet ushtarake bërthamore nga ato civile.

Kryetari i komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për Marrëdhënie Ndërkombëtare, Henri Hajd, e paralajmëroi administratën e Presidentit Bush që të mos mendojë se është e sigurt që marrëveshja do të miratohet menjëherë nga Kongresi:

“Do të ishte shumë e papërgjegjshme për këtë komision si edhe për Kongresin në tërësi, theksoi zoti Hajd, që të veproi me ngut për sa i përket një subjekti që nuk mund të lejojë hapa të gabuar.”

Robert Einhorn i Qendrës për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare vlerëson se marrëveshja Amerikë-Indi do t’u përcjellë mesazh të gabuar vendeve që mendohet se kanë apo që po përpiqen të prodhojnë armë bërethamore:

“Përfitimet në fushën e mospërhaëjes bërthamore që sjell deklarata e përbashkët amerikano-indiane, janë thuajse të parëndësishme në krahasim me dëmet që do të sillte në këtë fushë marrëveshja nëse miratohet në formën e saj të tanishme.”

Por, Nil Xhoek i Qendrës së Kërkimeve për Sigurinë Globale argumenton se marrëveshja e bën Indinë një aleate në përpjekjet për ndalimin e përhapjes bërthamore:

“Marrëveshja, thekson zoti Xhoek, pranon vlerën e masave të sigurimit dhe rolin e Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike. India e ka pranuar këtë normë me vendimin për të veçuar instalimet e saj civile nga ato ushtarake, të zbatojë rregullat e sigurimit në reaktorët e saj civilë dhe të pranojë mbikëqyrjen e komplekseve të saj civile nga agjencia e OKB-së për energjinë bërthamore.”

Ekspertë të tjerë e shikojnë marrëveshjen si të metë në çështjet kyç. Kreu i Institutit për Sigurinë Shkencore dhe Ndërkombëtare, David Albrajt, thotë se Kongresi duhet t’u japë përgjigje shumë çështjeve shqetësuese që ngrihen nga marrëveshja, para se ligjvënësit të ndryshojnë ndonjë nga ligjet ekzistuese:

“Ne, thekson zoti Albrajt, luajmë rol udhëheqës në përpjekjet për ndalimin e përhapjes bërthamore dhe nëse bëjmë lëshimin më të vogël, ne nuk e dimë se çfarë do të ndodhë, kështu që Kongresi duhet t’u bëjë ballë përpjekjeve të administratës për të kërkuar ndryshimin e ligjeve menjëherë dhe pa shqyrtimin e përshtatshëm.”

Henri Sokolski i Qendrës për Edukimin Politik në fushën e Mospërhapjes Bërthamore thotë se India duhet të bier dakord për një seri hapash të ndërmarra tashmë nga fuqi të avancuara e të përgjegjshme bërthamore, siç i cilëson ai, si heqja dorë nga rritja e arsenalit të saj bërthamor dhe ndalimi i prodhimit të materialeve të zbërthyeshme. Mungesa e këtyre hapave, thekson ai, do të minonte besueshmërinë e pretendimeve të Shteteve të Bashkuara dhe të Indisë se marrëveshja e tyre çon përpara përpjekjet për mospërhapjen bërthamore.

Paralajmërimi i ligjvënësve se administrata e Presidentit Bush nuk duhet të mendojë se marrëveshja Amerikë-Indi do të miratohet menjëherë nga Kongresi pason deklaratat optimiste të bëra kohët e fundit nga zyrtarë amerikanë.

XS
SM
MD
LG