Lidhje

Karpenter: Një  pavarësi e qëndrueshme për Kosovën kërkon ndarje territoriale


Vendimi i Këshillit të Sigurimit për t’i hapur dritën e gjelbër fillimit të bisedimeve për statusin përfundimtar të Kosovës nuk ishte i papritur për qarqet e analistëve në Uashington. Analisti i Institutit Cato, Ted Karpenter thotë se megjithëse parashikohet një proces i gjatë dhe i ndërlikuar negociatash, rezultati përfundimtar do të jetë pavarësia e Kosovës. Por analisti paralajmëron se një pavarësi e kushtëzuar nënkupton një zgjidhje të pjesshme të problemit dhe sugjeron një ndarje të Kosovës si kyçin për një Kosovë të pavarur të qëndrueshme.

Analisti Karpenter, e shikon sovranitetin e kushtëzuar si një formulë që nuk funksionon logjikisht dhe që për t’u zbatuar në praktikë do të kërkojë një prani ndërkombëtare të tej-zgjatur, që do të shndërrohet në burim të ri tensionesh: "Kam argumentuar prej kohësh se sovraniteti është si shtatzania. Një grua është ose s’është shtatzënë. Një vend është ose nuk është i pavarur. Mendoj se vizioni i komunitetit ndërkombëtar për zgjidhjen e kësaj çështjeje nuk do të sjellë zgjidhje të qëndrueshme. Ata propozojnë një pavarësi nën mbikqyrje që ngre nevojën e një pranie të huaj ushtarake në Kosovë, pas shpalljes së pavarësisë. Kjo prani do të jetë krejt e papranueshme për popullsinë në Kosovë. Gjithnjë e më tepër popullsia do t’i konsiderojë trupat e huaj, jo si një politikë sigurimi kundër ndërhyrjeve nga jashtë, por si një faktor ndërhyrës në një vend që sapo ka fituar pavarësinë. Të themi pas 5 apo 10 vjetësh, vështirë të mendosh se një prani ushtarake do të jetë e pranueshme nga shumica e popullsisë," thotë zoti Karpenter.

Zoti Carpenter e pranon idenë e pavarësisë së Kosovës, më tepër si një fakt të kryer dhe të padiskutueshëm, një vendim të marrë nga komuniteti ndërkombëtar, dhe negociatat thotë ai do të shërbejnë thjeshtë për të qartësuar hollësitë apo kushtet me të cilat shoqërohet kjo pavarësi. Negociatat janë aspekti publik i procesit, thotë analisti. Thelbi i këtyre negociatave është se Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian do të imponojnë një zgjidhje. Por zoti Karpenter veçon si kusht për mbarëvajtjen e pavarësisë, ndarjen territoriale të rajonit të Mitrovicës, i cili aktualisht ekziston si një territor i shkëputur nga pjesa tjetër e Kosovës: "Askush nuk i pëlqen ndarjet në vija etnike, dhe është e kuptueshme përse Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian nuk duan të shqyrtojnë një zgjidhje të tillë, por në këtë rast mendoj se një ndarje e Kosovës është një vendim me vend, pasi do të ndihmojë në vendosjen e qëndrueshmërisë, në rast të kundërt Mitrovica do të jetë një plagë e hapur që do të dëmtojë vendin për vite me radhë. Nëse nuk bëhet ndarja e Kosovës, mbetet i pambyllur një burim paqëndrueshmërie dhe i hapet rruga qëndrimit me afat të pacaktuar të trupave ndërkombëtare në Kosovë, gjë që shumica shqiptare nuk do e pëlqejë në periudhën afat-gjatë.

Ka të ngjarë që ecejaket diplomatike të vazhdojnë për disa muaj, në mënyrë që të moderohet qëndrimi i palës shqiptare dhe asaj serbe dhe të gjendet një kopromis i pranueshëm. Nuk ka shumë gjasa që asnjëra palë të marrë atë që dëshiron, thotë analisti. Ai paralajmëron se nëse Begradi këmbëngul në qëndrimin e tij kundër pavarësisë së Kosovës, nuk do të bëjë tjetër veçse do të dëmtojë shanset e tij për negociim në këtë proces: "Nëse qeveria serbe këmbëngul në qëndrimin aktual se pavarësia nuk është alternativë e pranueshme prej saj, fjala e saj do të hidhet poshtë Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, gjë që do të jetë një goditje e rëndë për Beogradin. Në fund të fundit, statusi i Kosovës nuk do të përcaktohet nga Beogradi dhe sa më parë që ta kuptojë Serbia këtë, aq më parë do të arrihet zgjidhja. Por udhëheqësit politikë serb do t’i kundërvihen alternativës së pavarësisë me sa munden. Serbia, mendoj unë, kërkon dy gjëra: një prej tyre, një konsesion i Serbisë për të pranuar pavarësinë, është ndarja e Kosovës. Një tjetër kërkesë është përshpejtimi i procesit për antarësimin e Serbisë në BE, që tani, thekson analisti i Institutit Cato, po ecën me ritme shumë të ngadalta.

Analisit Karpenter, është gjithashtu një studiues i marrëdhënieve transatlantike dhe ka ndjekur nga afër ambicjet e demokracive të reja në Evropën Lindore për antarësim në Nato dhe struktura të tjera euroatlantike. Ai shprehet pozitivisht për shanset e Shqipërisë për antarësim në Aleancën e Atlantikut Verior, por thekson se ritmet e ngadalta të reformave e kanë shtyrë në kohë realizmin e këtij objektivi: "Mendoj se Shqipëria ka shanse pozitive për antarësim në Nato në dekadën e ardhshme. Nuk mendoj se kjo mund të arrihet brenda pak vitesh, pasi vendi ende ka nevojë për reforma të shumta para se të bëhet një kandidate e pranueshme për antarësim."

Analisti mendon se Natoja do të ketë një proces tjetër zgjerimi dhe shton se fakti që në Uashington po flitet për gjasat e Ukrainës për antarësim, është një shenjë pozitive e synimeve të Aleancës së Atlantikut Verior për të zgjeruar kufijtë e saj më tej drejt lindjes, dhe se Shqipëria do të jetë ndër vendet që do të përfitojnë nga ky zgjerim.

XS
SM
MD
LG