Lidhje

Hollivud: Del në kinema filmi i ri i aktorit Nikolas Keixh


Një regjistrim i paparë ndonjëherë i Frank Sinatrës do të bëhet publik së shpejti. Bëhet fjalë për një xhirim të viteve ’50 kur artisti ishte në kulmin e suksesit të tij. Ndërkaq, në Hollivud Nikolas Cage pret reagimin e publikut për filmin e tij të ri Weatherman, i cili sapo filloi të shfaqet në kinematë amerikane.

Fillon të shfaqet filmi Weatherman

Me ftohjen e motit dhe shkurtimin e ditës, kinemaja bëhet për shumë njerëz një ndër argëtimet kryesore. Kjo javë në Nju Jork u kujtoi banorëve se dimri nuk është larg. Por shiu i rrëmbyer nuk e pengoi aktorin Nikolas Keixh të shkonte në kinemanë e Nju Jorkut ku po shfaqej të hënën premiera e filmit të tij të ri Weather Man. Në fakt, moti i zymtë shkonte mjaft mirë me subjektin e filmit, ku Keixh luan një meteorolog në një stacion televiziv të Çikagos, i cili shumë shpejt kupton se ashtu si moti edhe jeta ka të papritura të pakëndshme.

Megjithëse është shumë i suksesshëm në jetën profesionale, personazhi i Nikolas Keixh po kalon një periudhë shumë të trazuan në jetën private, pasi është ndarë nga e shoqja, ndërkohë që i ati po vdes nga kanceri. Aktori vëzhgoi nga afër meteorologë të Çikagos për t’u përgatitur për këtë rol. Në rolin e babait është aktori britanik Maikëll Kein, i cili solli në lojën e tij edhe përvojën e tij personale, pasi edhe vet pat humbur babain nga kanceri.

Where the Truth Lies - Një titull i ri që ka ngjallur polemika në Hollivud

Where the Truth Lies, filmi i ri i regjizorit Atom Egoyan, ka në qendër të subjektit dy komedianë të suksesshëm Larry dhe Vince, luajtur nga Kevin Bacon dhe Collin Firth. Në kulmin e suksesit të tyre ata janë të pasur, të fuqishëm dhe tepër të pëlqyer. Por mjafton vetëm një incident që çdo gjë të përmbyset. Dy personazhet kryesore e shohin çdo gjë t’u rrokulliset para syve, kur në dhomën e tyre të hotelit shfaqet trupi i një gruaje të vdekur. Falë alibisë që kishte secili prej tyre, ata u shpëtojnë akuzave, por jeta e tyre profesionale dhe miqësia e tyre shkatërrohen.

Pesëmbëdhjetë vjet më pas një gazetare e re vendos të hedhë dritë mbi këtë incident dhe zbulon hollësi marrëdhëniesh intime të ngarkuara me fetishe, që mendon se mund të kenë qenë shkak i vrasjes. Ajo boton një libër që rrezikon të vërë përsëri në rrezik qetësinë e personazheve kryesore.

Si rrjedhojë e skenave të intimitetit ndërmjet autores dhe 2 personazheve, filmi është cilësuar nga kritika si jo-i përshtatshëm për të rinj nën moshën 17-vjeç, një kufizim i rrallë në Shtetet e Bashkuara, që trupa realizuese shqetësohet se mund të dekurajojë shumë shikues dhe të dëmtojë financiarisht filmin.

Përgatitet për publikim një regjistrim i paparë i Frenk Sinatrës

Simpatizantët e Frank Sinatrës, të cilët mund të kenë menduar se me vdekjen e tij mbaruan edhe intepretimet origjinale të autorit, po presin tani hedhjen në treg të një regjistrimi të panjohur më parë që familja e tij ka vendosur ta bëjë publik. Bëhet fjalë për një regjistrim të autorit gjatë interpretimit për familjen e tij, në vitet ’50 kur ai ishte në kulmin e karrierës artistike. Materiali i ri do të përfshihet në një koncert, me disa nga interpretimet më të suksesshme të Sinatrës, ndër të cilat My Way, New York, New York, dhe One for My Baby, të cilat do të shoqërohen nga një orkestër e madhe simfonike dhe një trupë këngëtarësh dhe balerinësh. Premiera e koncertit do të shfaqet në Londër në mars të vitit të ardhshëm.

XS
SM
MD
LG