Lidhje

Pakistan: Numri zyrtar i të vdekurve nga tërmeti arrin në mbi 73 mijë vetë


Numri zyrtar i të vdekurve nga tërmeti i muajit të kaluar në Pakistan ka arritur tani në 73 mijë e 276 vetë.

Një zyrtar i lartë i ndihmave e bëri këtë njoftim sot në Islamabad. Ai tha gjithashtu se më shumë se 69 mijë vetë u plagosën nga tërmeti i 8 tetorit. Dje zyrtarë të qeverisë njoftuan për mbi 57 mijë viktima, pjesa më e madhe e të cilëve gjetën vdekjen në Kashmirin pakistanez.

Ndërkaq, ushtria amerikane tha se ka rifilluar dërgimin e ndihmave me helikopter në Pakistanin verior, një ditë pasi një prej helikopterëve të saj mendohet të jetë bërë objekt sulmi.

Zyrtarët amerikanë thonë se ende vazhdojnë hetimet lidhur me incidentin e djeshëm, kur mendohet se helikopteri u sulmua nga toka gjatë një operacioni ndihmash. Askush nuk u plagos dhe helikopteri nuk u godit.

Zyrtarët pakistanezë thanë se ekuipazhi i helikopterit mund të ketë dëgjuar gjëmimin e dinamitit që përdoret për të pastruar dheun e shembur pas tërmetit.

XS
SM
MD
LG