Lidhje

Seancë e rrallë me dyer të mbyllura në Senat


Senati amerikan rifilloi seancat me dyer të hapura, pasi ligjvenësit demokratë duke shfrytëzuar një rregull të përdorur rallë, detyruan papritur zhvillimin e një seance me dyer të mbyllura për të debatur rreth informacioneve të zbulimit para luftës në Irak dhe nxjerrjen e emrit të një agjenteje të CIA-s.

Seanca me dyer të mbyllura u kërkua nga udhëheqësi i pakicës demokrate në Senat, Harry Reid. Në fund të saj, senatorët ranë dakort të ngrenë një komision dypartiak me 6 anëtarë, i cili ka dy javë kohë për të rishikuar hetimet që po kryen Komisioni i Senatit për Çështjet e Zbulimit rreth informacioneve të zbulimit që u përdorën për të justifikuar fillimin e luftës.

Zoti Reid tha se populli amerikan dhe ushtarët amerikanë kanë të drejtë të dinë në se administrata e Presidentit Bush e manipuloi apo jo informacionin e zbulimit. Udhëheqësi i republikanëve në Senat, Bill Friest i akuzoi demokratët, siç u shpreh ai, “për rrëmbim të Senatit”.

Protesta e demokratëve vjen pas ngritjes së akt-padisë të premten kundër zyrtarit të lartë të Shtëpisë së Bardhë Lewis Libby, për deklarata të reme gjatë hetimeve lidhur me nxjerrjen e identitetit të një agjenteje të CIA-s. Bashkëshorti i agjentes, ish ambasadori Joseph Wilson, e ka akuzuar adminsitratën e Presidentit Bush se e nxorri emrin e bashkëshortes së tij për t’u hakmarrë për kritikat që ai i kishte bërë argumenteve për ndërhyrjen në Irak.

XS
SM
MD
LG