Lidhje

Uashington: Grupi i Kontaktit diskuton për Kosovën


Në Uashington, përfaqësuesit e Grupit të Kontaktit do të zhvillojnë sonte një darkë pune për të diskutuar mbi çështje që lidhen me bisedimet rreth së ardhmes së Kosovës.

Një zëdhënës i Departamentit të Shtetit i tha Zërit të Amerikës se takimi do të kryesohet nga nënsekretari amerikan i shtetit Nicholas Burns dhe do të jetë i mbyllur për median.

Departamenti i Shtetit tha gjithashtu se Shtetet e Bashkuara ende nuk kanë emëruar një përfaqësues në bisedimet për statusin e ardhshëm të Kosovës.

Në një letër që i dërgonte dje Grupit të Kontaktit, Presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova thotë se do të punojë nga afër me këtë grup dhe se populli i Kosovës është i përkushtruar për një shtet të pavarur e sovran.

E ardhmja e këtij shteti, shkruan Presidenti Rugova, do të bazohet mes të tjerash në barazinë dhe respektimin e plotë të të drejtave të qytetarëve të saj, pa marrë parasysh përkatësinë etnike apo fetare si dhe në marrëdhënie shumë të mira me shtetet fqinje, duke përfshirë edhe Serbinë.

Ndërkohë, një grup i armatosur i panjohur në Kosovë kërcënoi se do të hakmerret kundër udhëheqësve shqiptarë nëse deputetët e parlamentit nuk miratojnë një deklaratë pavarësie përpara fillimit të bisedimeve për statusin.

Grupi, i cili e quan veten Ushtria për Kosovën e Pavarur, veçonte në kërcënimin e tij Presidentin Rugova dhe katër anëtarë të tjerë të delegacionit shqiptar të caktuar për bisedime me autoritetet serbe.

Grupi, i cili ka dalë në sipërfaqe pak javë më parë, paralajmëronte se po i vëzhgon nga afër veprimtaritë e grupit negociator. Ai nuk përmendëte ndonjë veprim konkret por thoshte se negociatorët do të kenë pasoja nëse kërkesat e tij nuk plotësohen.

XS
SM
MD
LG