Lidhje

Anëtarë të Kongresit reagojnë ndaj artikullit për një rrjet burgjesh të fshehta të CIA-s


Anëtarë të Kongresit reaguan dje ndaj një artikulli të gazetës Washington Post, sipas së cilit CIA ka ngritur pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001, një rrjet burgjesh të fshehta për të mbajtur të dyshuar për terrorizëm. Anëtarët demokratë të kongresit u shprehën me kritika:

Gazeta Washington Post që shkruante në numrin e djeshëm për një sistem të fshehtë burgjesh të drejtuara nga CIA, thoshte se fondet për këto objekte sekrete ishin siguruar në buxhetin normal të zbulimit që miratohet nga Kongresi çdo vit.

Buxheti është llogaritur rreth 40 miliardë dollarë, por shifra e saktë nuk është e njohur, sepse është sekret.

Por për ligjvënësit që vendosin për fondet e sistemit amerikan të zbulimit dhe që miratuan ligjin për të riorganizuar atë sistem, pas muajsh të tërë debatesh të tensionuara, artikulli i Washington Postit me siguri do të shkaktojë më shumë shqetësim.

Senatorja demokrate, Barbara Boxer, e cilësoi artikullin e djeshëm si tronditës dhe shtoi se do të diskutonte me anëtarë të Komisionit të Senatit për Zbulimin, drejtuar nga republikanët për të marrë vesh nëse ata kishin dijeni për hollësitë e përmendura në artikull.

Anëtari demokrat i Dhomës së Përfaqësuesve, Jim McGovern tha:

"Këto nuk janë parimet që simbolizojnë Amerika. Duket më shumë sikur është Kili nën regjimin e Pinoçetit, ose Argjentina nën kontrollin e juntës”.

Artikulli i Washington Postit botohet gjithashtu në një kohë kur po zhvillohet një debat i nxhetë për operacionet ushtarake amerikane në Irak, për rastin e zbulimit të identitetit të një agjenteje të CIA-s dhe çështjen e trajtimit të të burgosurve dhe të ndaluarve.

Varianti i Senatit për një paketë për buxhetin e mbrojtjes përmban një amendament që u miratua muajin e kaluar me 90 vota pro dhe 9 kundër, për të ndaluar trajtimin mizor, çnjerëzor, apo poshtërues të të ndaluarve që mbahen nën arrest nga amerikanët.

Megjithatë, administrata e Presidentit Bush, me përpjekje të drejtuara nga nënpresidenti Dick Cheney thotë se një klauzolë e tillë e propozuar nga senatori republikan John McCain do të dëmtonte përpjekjet e kundër terrorizmit dhe ka propozuar që punonjësit e CIA-s të përjashtohen.

Zëdhënësi i Presidentit Scott McClellan, i pyetur dje nga gazetarët nuk pranoi të diskutonte për veprimtari konkrete të zbulimit, duke shtuar vetëm se Presidenti Bush ka përgjegjësinë për të mbrojtur popullin amerikan.

Këshilltari për Sigurinë Kombëtare, Stephen Hadley komentoi për artikullin:

“Fakti që ato janë të fshehta, gjithmonë nëse ka vërtetë objekte të tilla, nuk është tregues i gjithçkaje. Disa njerëz thonë se parimet vihen në provë kur nuk sheh njeri. Dhe presidenti ka këmbëngulur se si në publik, ashtu edhe privatisht do të respektohen të njëjtat parime dhe ata që i shkelin këto parime, do të mbahen përgjegjës”.

Artikulli botohet gjithashtu në një kohë kur demokratët në kongres po shtojnë presionin ndaj republikanëve lidhur me çështjen e informacioneve të zbulimit që çuan në luftën në Irak dhe me nxjerrjen e identitetit të agjentes së CIA-s. Udhëheqësi i pakicës në Senat Harry Reid dhe udhëheqësja e demokratëve në dhomën e përfaqësuesve, Nancy Pelosi i shkruan dje presidentit, duke kritikuar ato që ata i quajnë deklarata krejtësisht të rreme nga zëdhënësin i Presidentit Scott McClellan.

Të martën, senatori Reid përdori një rregull të posaçëm për të mbajtur një seancë me dyer të mbyllura, për të nëënvizuar pakënaqësinë me ato që ai i quan zvarritje nga republikanët e Komisionit të Senatit për Zbulimin.

Republikanët reaguan të indinjuar duke e quajtur veprimin e senatorit Reid një manovër të demokratëve, por ranë dakord për të nxjerrë një raport këtë muaj mbi ecurinë e hetimit të komisionit të zbulimit për informacionet që u përdorën për të argumentuar fillimin e luftës në Irak.

XS
SM
MD
LG