Lidhje

Hollbruk: Statusi përfundimtar i Kosovës do të jetë pavarësia


Ish diplomati amerikan Richard Holbrooke, i cili shërbeu si ndërmjetës midis Uashingtonit dhe Beogradit para se NATO-ja të ndërhynte në Kosovë, i tha Zërit të Amerikës se statusi përfundimtar i Kosovës do të jetë pavarësia. Por, tha ai, duhet kuptuar mirë se kjo mund të ndodhë vetëm nëse jepen garanci të hekurta, siç u shpreh ai, për serbët e Kosovës, për sigurinë e tyre, monumentet e tyre fetare dhe kulturore dhe shkollat e tyre.

Shqiptarët po e bëjnë pavarësinë shumë më të vështirë me agresivitetin që po tregojnë ndaj serbëve, tha zoti Holbrooke. Nëse nuk ka garanci të tilla, atëhere pavarësia do të vonohet shumë. Shqiptarët duhet ta kuptojnë se tokën duhet ta gëzojnë në paqe së bashku me serbët dhe nuk mund t’i dëbojnë ata. Është e qartë për cilindo që ka qenë në Kosovë dhe që ka vizituar monumentet fetare se ashtu si në Jeruzalem, atje kanë bashkekzistuar dy kultura të lashta në të njëjtin vend dhe duhet të vazhdojnë të gjejnë mënyrën për të ekzistuar si të tilla, tha ish diplomati Richard Holbrooke.

Zoti Holbrooke i bëri komentet në 10 vjetorin e marrëveshjeve të Daytonit, të cilat i dhanë fund luftës në Bosnje. Ai tha se këto marrëveshje shënuan një sukses por tani pas 10 vjetësh, ato kanë nevojë për disa përmirësime dhe për përpjekje të fuqishme në zbatimin e tyre.

XS
SM
MD
LG