Lidhje

Lufta kundër trafikut njerëzor kërkon një angazhim të përgjithshëm serioz


Kombet e Bashkuara njoftojnë se gjatë dekadës së kaluar, trafikimi i qenieve njerëzore ka arritur përmasa epidemike. Zyrtarë dhe drejtues të shoqërisë civile në Amerikë po bëjnë thirrje për një përgjigje më agresive ndaj kësaj forme moderne të skllavërisë.

Organizatat e të Drejtave të Njeriut, thonë se trafiku i qenieve njerëzore është një problem global. Numri i viktimave është tepër i madh, thotë Geri Haugen, President i Misionit për Drejtësinë Ndërkombëtare, një organizatë jo-qeveritare për të drejtat e njeriut. “Sipas National Geografic, 27 milionë njerëz në mbarë botën, kanë rënë viktima të trafikut njerëzor. Kjo do të thotë se në ditët tona ka më shumë skllevër se sa gjatë 400 vjetëve që ekzistoi tregëtia e skllevërve nga Afrika," thotë zoti Haugen.

Zoti Haugen thotë se forma më mizore e trafikut është ai për qëllime seksuale. Sipas UNICEF-it, çdo vit, rreth 1 milionë fëmijë, shiten ose shfrytëzohen për biznese kriminale. Trafiku i seksit mendohet se po vjen duke u shtuar në Evropën Qendore dhe Lindore dhe në ish Bashkimin Sovjetik.

Në Azi, vajza nga fshatrat në Nepal e Bangladesh, shumica nën 18 vjeç, shiten në shtëpi publike në Indi për 1 mijë dollarë. Sipas autoriteteve evropiane, kjo industri qarkullon sot disa miliardë dollarë në vit. Senatorja demokrate Hillari Klinton thotë se Shtetet e Bashkuara nuk do t’i tolerojnë vendet e tjera që mbyllin njeri sy përballë këtij krimi. “Ai vend që nuk respekton dhe nuk trajton me dinjitet gratë e fëmijët, do të ketë probleme me Shtetet e Bashkuara,” tha zonja Clinton.

Senatorja Klinton propozon që në marrëveshjet tregëtare të Shteteve të Bashkuara me vendet e tjera të ketë kushte konkrete që këto vende të mbajnë përgjegjësi për respektimin e ligjve kundër trafikut. Senatori republikan Sem Braunbek thotë se ndaj vendeve, që sipas raporteve ndërkombëtare merren me trafik njerëzor, duhen marë masa. “Raportet për trafikimin janë të rëndësishme. Në se një vend është në kategorinë e 3-të, për dy vjet resht, atëhere duhet parë mundësia e sanksioneve,” thotë senatori Braunbek.

Ish Sekretarja e Shtetit Madeleine Ollbrajt, thotë se lufta kundër trafikut të qënieve njerëzore mund të fitohet. “Kjo është një luftë që mund të fitohet. Por ajo kërkon bashkëpunim nga të gjithë,” tha ish-Sekretarja e Shtetit.

Zonja Ollbrajt thotë se një numër vendesh nuk janë duke i zbatuar masat kundër trafikut që vetë i kanë miratuar. Nëse trafiku nuk goditet nga të gjitha vendet, thotë ajo, ai do të vazhdojë.

XS
SM
MD
LG