Lidhje

Prof. Pano: INSTAT, SHISH nuk duhet të jenë pjesë e Ministrisë së Brendshme


Studiuesi dhe analisti i çështgjeve shqiptare, ish profesori i historisë në Universitetin e Western Illinoit, Nikolla Pano thotë se nismat e qeverisë së re të Shqipërisë për riorganizimin e qeverisë janë të gabuara. Ai kritikoi përfshirjen e Institutit të Statistikave, Shërbimit Civil dhe Shishit në Ministrinë e Brendshme si dhe paralajmëroi se kriza energjitike që po përjeton Shqipëria mund ta dëmtojë rënë ekonominë e saj. Në intervistën që dha për Zërin e Amerikës, prof. Pano u ndal edhe tek polemikat e vazhdueshme për festat e 28 dhe 29 nëntorit dhe theksoi se 29 nëntori nuk mund të krahasohet nga rëndësia me ditën e pavarësisë, për të cilën ai tha se duhet të jetë festa kombëtare e Shqipërisë.

I sapo kthyer nga një vizitë në Shqipëri, analisti i njohur amerikan i çështjeve shqiptare, Nikolla Pano, pati rastin ta përjetojë vetë nga afër krizën energjitike. Ai shpreh shqetësim se ngritja e çmimit të naftës dhe gjendja e rënduar elektro-energjitike mund ta godasin rëndë ekonominë shqiptare.

“Këto dy faktorë ekonomikë, jo vetëm që krijojnë vështirësi për popullsinë, por krijojnë probleme për ekonominë në përgjithësi. Ato e bëjnë Shqipërinë një vend më pak tërheqës për investime, për shkak të pasigurisë së furnizmit me energji elektrike. Bizneset ekzistuese do të ndeshen me shpenzime më të mëdha, që mund të çojnë edhe në falimentim të tyre. Këto janë sfida serioze për Kryeministrin Berisha që mund t’ia bëjnë të pamundur zbatimin e gjithë reformave ekonomike që ai ka premtuar.”

Qeveria e re demokrate erdhi në pushtet me një platformë elektorale që i shpallte luftë totale korrupsionit. Dhe deri tani, thekson, Profesori Pano, Kryeministri Berisha u është përmbajtur me besnikëri premtimeve elektorale.

“Qeveria deri tani po e mban premtimin për t’u marrë me çështje të tilla si korrupsioni, sidomos përsa i takon korrupsionit mes vetë anëtarëve të qeverisë. Kryeministri Berisha ka kërkuar një qëndrim trasparent, që këta individë të deklarojnë pasuritë, dhe ka premtuar se qeveria do t’i ndjekë me vëmendje aktivitetet e anëtarëve të saj. Kjo është një shenjë shumë pozitive, pasi gjatë qeverisjes socialiste, nuk pushuan asnjëherë akuzat për korrupsion ndaj anëtarëve të qeverisë. Po ashtu qeveria e kupton se si komuniteti ndërkombëtar edhe publiku në Shqipëri kërkon që ajo të jetë e përgjegjshme në këtë luftë të shpallur ndaj korrupsionit dhe të mos krijohet klima e hakmarrjes politike.”

Por, një nga fushat ku qeveria ka gabuar, sipas profesorit Pano, është ajo e riorganizmit të Minisitrisë së Brendshme, që ai e quan një Superministri. Përfshirja e Institutit të Statistikave dhe Shërbimit Civil në të, thotë profesori është një ide e gabuar. Shqipëria sot, thotë ai, ka nevojë për konsolidimin dhe forcimin e pavarësisë së shërbimit civil dhe jo për lindjen e dyshimeve të reja për ndikim politik mbi to. Po t’i shtosh kësaj Ministrie edhe SHISH-in problemet për të bëhen edhe më të mëdha.

“Dhe duke patur parasysh problemet kronike të organeve të rendit, në aktivitetet e kaluara të SHISH-it dhe shqetësimet për ndikim politik në këtë agjenci të rëndësishme, çon në përfundimin se kjo është një nismë e gabuar. Po ashtu e parë në një këndvështrim më të gjerë, kombinimi i këtyre agjencive në këtë të ashtuquajturën superministri, i jep një përgjegjësi tepër të madhe një individi të vetëm, ministrit. Unë e kam të vështirë ta kuptoj, duke patur parasysh faktin se personi në atë post është relativisht pa përvojë, ndonëse i aftë, është vështirë të kuptosh se si një person i vetëm mund të mbajë kontrollin e gjithë këtyre aktiviteve. Pra ka probleme politike dhe administrative, dhe pa dyshim arësye imazhi se përse duhet riparë gjithë propozimi për krijimin e kësaj superministrie.”

Por reformat që kryeministri Berisha premtoi të kryejë në Shqipëri, mund të rrezikohen seriozisht nga kriza energjitike. Profesori Pano thekson se zgjidhja për Shqipërinë është të fillojë përpjekje serioze për forma të tjera energjie.

“Qeveria shqiptare duhet të fillojë të organizojë përpjekje më serioze për burime të tjera energjie nga termocentralet, apo energji nga era ose burimet gjeotermale, ose energji diellore. Shqipëria nuk mund të vazhdojë të bazohet për energji tek hidrocentralet. Vitet e fundit në këto sektor ka patur shumë dështime.”

Ndonëse po mbushen 15 vjet nga përmbysja e komunizmit, Shqipëria vazhdon ta gjejë veten përsëri në periudhë tranzicioni. Një nga elementët më dallues të saj është lufta e ashpër mes dy partive kryesore, Demokratëve dhe Socialistëve që nuk po tregon shenja ulje. Profesori Nikolla Pano thotë se kjo prirje pritet të vazhdojë.

“Lufta politike në Shqipëri do të vazhdojë me intensitetin e tanishëm. Një nga çështjet që mund ta zbusë atë është sfida me të cilën ndeshet vendi përsa i përket krizës energjitike. Shqipëria ka nevojë për bashkëpunim nga të gjithë për ta kapërcyer gjendjen. Do të ishte fatkeqësi që beteja politike të ndërhynte në gjetjen e zgjedhjeve për çështje të tilla. “

Ardhja e zotit Edi Rama në krye të Partisë Socialiste deri tani nuk ka treguar ndonjë shenjë për ndryshimin e dinamikës PS – PD. Nga ana tjetër zoti Rama, thotë profesori Pano, ka një sërë vështirësh për të kapëcyer.

“Ky është një nga momentet më të vështira për zotin Rama. Ai duhet të fillojë procesin e rindërtimit të Partisë Socialiste nga baza. Ai duhet të rindërtojë mbështetja ekonomike për socialistët, që ka filluar të bjerë, dhe ndërsa merr përsipër detyrat e kryetarit të partisë, ndërsa përpiqet për aleatë, kjo mund të krijojë një lloj tensioni në politikën shqiptare.”

Një çështje tjetër që pritet të bëhet faktor ndarës në Shqipëri, është edhe ai i festave të 28 dhe 29 nëntorit. Me të ardhur në pushtet, demokratët thanë se do të bëjnë ndryshime. I menjëhershëm reagimi i socialistëve që 29 nëntori të mos preket. Profesorit Nikolla Pano, thotë se socialistët këmbëngulin tek 29 nëntori për shkak të mbështetjes që marrin nga veteranët.

“Kjo është një çështje shumë emocionale ku ndërthuren elementë të politikës dhe të mendimit intelektual. Është e natyrshme që veteranët nuk duan që ndihmesa që ata i kanë dhënë Shqipërisë të nënvleftësohet duke eliminuar festën e 29 nëntorit. Partia Socialiste pa dyshim është për ruajtjen e kësaj date, për shkak të mbështetjes që merr kjo parti nga veteranët.”

Profesori Pano sugjeron që historia e Shqipërisë të rishikohet seriozisht. 29 nëntori, thotë ai nuk mund të krahasohet për nga rëndësia me 28 nëntorin. Më 29 nëntor, shton profesori, forcat gjermane vendosën të tërhiqen nga Shqipëria për shkak të ndryshimit të teatrit të luftës në Evropë.

“Kjo ngjarje u shfrytëzua nga partia komuniste për të rritur imazhin e saj dhe për të himnizuar rolin e Ushtrisë Nacional-Çlirimtare. Këtu kemi të bëjmë me evakuimin, dhe e theksoj, me evakuimin e ushtarëve gjermanë nga Shqipëria. Kjo është vënë në të njejtin nivel me shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë. Tërheqja e forcave gjermane nga Shqipëria ishte një tërheqje strategjike, që u ndikua nga ngjarjet në vendet e tjera evropiane. Roli i partizanëve shqiptarë nuk ishte vendimtar në këtë kuadër. Nuk dua të minimizoj këtu rolin e ushtrisë nacional çlirimtare, ose sakrificat e 28 mijë qytetarëve dhe personelit ushtarak që humbi jetën gjatë viteve të Luftës së Dytë Botërore, por fakti mbetet se festa e 29 nëntorit u institucionalizua për të siguruar mbështetje patriotike për regjimit komunist. Sot nuk ka më kuptim të festohen dy data. Shqipëria duhet të ketë një festë, atë të 28 nëntorit, si ditën që bashkon gjithë shqiptarët, ditën që njeh pavarësinë dhe lirinë e Shqipërisë, si nga pushtimi otoman edhe nga pushtimi i vendeve të boshtit.”

Për paralelizëm profesor Pano përmend Ditën e Veteranëve në Amerikë, që do të festohet më 11 nëntor. Fillimisht ajo quhej Dita e Armëpushimit, si dita qe nderonte veteranët që kishin shërbyer në Luftën e Parë Botërore. Por me kalimin e viteve, emërtimi Dita e Armëpushimit u ndryshua në Dita e Veteranëve dhe sot kjo festë kombëtare në Shtetet e Bashkuara nderon shërbimin e veteranëve në të gjitha luftrat që ka marrë pjesë Amerika. Shqiptarët, thotë profesor Pano, ndoshta mund të fillojnë të mendojnë në këtë formë. Nuk ka kuptim nga ana ekonomike, shton ai, të kesh dy festa njera pas tjetrës. 28 Nëntori, përfundon profesor Pano, duhet të jetë Festa Kombëtare që bashkon gjithë popullin shqiptar.

XS
SM
MD
LG