Lidhje

Qeveria shqiptare shton energjinë falë importeve nga Rumania


Shqipëria që prej mesnatës së mbrëmshme ka shtuar sasinë e importit të energjisë falë blerjeve nga një kompani rumune. Kjo u bë e ditur sot nga drejtori i Korporatës Energjitike Andi Beli i cili njoftoi se falë kësaj sasie të re , do të reduktohen oraret e kufizimeve me energji, ku Tiranës do ti jepen afër dy orë me tepër në mesditë.

Shqiptarët do të kenë pak më shumë drita. Kjo falë rritjes së importeve. Drejtori i Korporatës Energjitike, Andi Beli njoftoi sot për reduktimin e kufizimeve drastike të ndërmarra ditët e fundit: "Në orën 00 ka filluar delivrimi i 120 megavat energji nga “Energy Holding” në Rumani dhe siç u tha dhe dje nga zoti kryeministër do të ketë përmirësime të kuotave në të gjithë vendin. Përsa i përket Tiranës do të ketë një furnizim nga ora 12.30 deri 14.30 me intervale kohe me zona, kjo e kombinuar me punën e ujësjellsave që të mos vështirëzohet furnizimi me ujë i popullatës, ndërsa përsa i përket rretheve do të rritet kuota përkatëse për cdo rreth në bazë të nevoja jetike".

Por e ardhmja në ditët që do të pasojnë do të varet tërësisht nga importet përsa kohë kushtet atmosferike nuk japin ende shpresa për rreshjet që do të furnizonin hidrocentralet të cilët janë nxjerrë jashtë pune për të ruajtur rezervat: "Importi që realizuam dhe kufizimet homogjene që po bëjmë në gjithë vendin na lejuan që nga 50 cm rënie të nivlit të ujit kemi arritur në një rënie me më pak se 30 cm. Do të thotë se po përdorim importin dhe po ruajmë rezervën energjitike. Agregatet e të tre hidrocentraleve janë të ndaluara, dhe furnizimi i kuotave shtesës po mbulohet vetëm nga importi"

Korporata energjitke njoftoi se po vazhdojnë kontaktet e gjithanshme për të siguruar jo vetë energji, por për të zgjidhur një problem tjetër madhor që është ai i transmetimit. Kesh deklaroi sot se në tranzitimin nga Greqia nuk ekziston asnje lloj pengese dhe se importi aktual po kryhet pikërisht nga këto linja. Ndërkohë siç tha dhe dje kryeministri po bisedohet me Maqedoninë që ajo të hapë portat e lumit Drin për të rritur prurjet në liqenin e Fierzës, bisedime të cilat janë zhvilluar dhe më parë por që siç deklaroi drejtori i Kesh, kishin përfunduar pa sukses.

XS
SM
MD
LG