Lidhje

Roli i demokracisë në ndaljen e terrorizmit


Në një fjalim të kohëve të fundit para trupave amerikane në shtetin e Virxhinias, Presidenti Bush përsëriti edhe një herë vendosmërinë e tij për të mposhtur terrorizmin duke përhapur lirinë dhe demokracinë. Në vazhdim i hedhim një vështrim rolit që mund të luajë përhapja e demokracisë në luftën kundër terrorozmit.

Vetëm mbështetja e demokracisë nuk mjafton për eliminimin e terrorizmit. Por, sipas profesorit të universitetit të Harvardit, Xhozef Nai, mungesa e demokracisë ndihmon në përhapjen e terrorizmit. “Mungesa e demokracisë nuk është shkaku kryesor i terrorizmit. Megjithëse terrorizmi ka edhe burime të tjera, unë mendoj thotë profesori Nai, se liria e fjalës dhe demokracia ndihojnë në uljen e disa burimeve të zemërimit."

Nuk është arritur një mendim i përbashkët lidhur me arsyen që ndikon një person të bëhet terrorist. Ekspertët theksojnë një kombinim faktorësh shoqërorë, politikë dhe ekonomikë. Mendimet pajtohen gjerësisht se ektremizmi dhe urrejtja mund të rriten në radhët e të rinjve në shoqëritë ku atyre u mungojnë mundësitë për arsim dhe një të ardhme më të mirë.

Xherold Post, profesor në universitetin Xhorxh Uashington, thotë se mundësitë e shumta që ofrojnë shoqëritë e lira krijojnë një terren jo të përshtatshëm për terrorizmin. “Në shoqëritë ku mundësitë për arsimim dhe karrierë të suksesshme janë të pakta, thotë zoti Post, shumë janë frymëzuar nga udhëheqës që përhapin urrejtje për të shprehur dëshpërimin e tyre. Sa më i madh të jetë numri i shoqërive të lira, aq më shumë zvogëlohet terreni i përshtatshëm për terrorizmin.”

Megjithatë, shoqëritë demokratike nuk janë imune ndaj terrorizmit të brendëshëm. Martha Krenshau, profesore në universitetin Uesleian, sjell shembullin e Timothi McVeit, i cili ishte autori i shpërthimit në qytetin Oklahoma në vitin 1995 ku gjetën vdekjen 167 vetë. “Pa dyshim, ekziston një kontrast sesi një shoqëri demokratike mund të prodhojë një person i cili me vullnet të lirë vret qindra civilë. Kjo tregon se edhe në një shoqëri demokratike ekzistojnë individë të cilët përdorin dhunën kundër civilëve të pafajshëm, për të kundërshtuar rregjimin.”

Profesori i universitetit të Vermontit, Gregori Gos, thotë se në kushtet e sotme të një terrorizmi global është më e vështirë se kurrë lufta kundër tij, sepse nuk kemi të bëjmë me zgjidhjen e një mospajtimi brenda kufijve të një vendi. Ai shton se e vetmja mënyrë për t’ju përgjigjur al-Kaidës është një kombinim midis forcës ushtarake dhe punës së policisë.

Xhozef Nai, i cili ka shërbyer edhe si ndihmës i sekretarit të mbrojtjes nën administratën e Presidentit Klinton, argumenton se është e vështirë të përhapet demokracia ndërkohë që shtetet angazhohen në veprime ushtarake. “Mendoj se kjo u vu re në Irak. Nuk është e lehtë të shpejtosh procesin me anë të forcës dhe shembulli i Irakut nuk do të merret si model në të ardhmen," tha zoti Nai.

Afganistani është një shembull tjetër për të parë vështirësitë e arritjes së demokracisë nga një vend me sistem jodemokratik. “Vite më parë, shpjegon zonja Krenshau, ishte një libër i titulluar ‘Kultura Qytetare.’ Aty tregohej se për të patur një shoqëri demokratike nuk mjaftojnë vetëm institucionet, rregullat dhe ligjet, por nevojiten edhe njerëz të edukuar me kulturë qytetare dhe kjo nuk mund të arrihet brenda natës.”

Shembuj të suksesshëm janë Gjermania dhe Japonia të pas Luftës së Dytë Botërore, ku idetë demokratike u gërshetuan me programet e rindërtimit. Bill Dadio, profesor në universitetin e Xhorxhtaunit, thotë se periudha e pas LuIftës së Dytë Botërore vërtetoi se sistemi demokratik është i vetmi që ka aftësinë e plotësimit të aspiratave të popullit. Por të ndërtosh shoqëri demokratike është shumë e kostueshme dhe procesi mund të zgjasë për vite të tëra.

XS
SM
MD
LG