Lidhje

Anëtarë të Kongresit amerikan mbi të drejtat e pakicave në Kosovë


Ndërkohë që përgatiten të fillojnë bisedimet për statusin përfundimtar të Kosovës, anëtarë të ndryshëm të Kongresit amerikan po shprehin pikpamjen se çdo zgjidhje duhet të përfshijë garanci të forta për mbrojtjen e të drejtave të pakicave dhe të objekteve të saj fetare dhe kulturore. Më poshtë mund të lexoni komentet që bënë për Zërin e Amerikës senatori Xhorxh Voinovich dhe anëtari i Dhomës së Përfaqësuesve, Xhorxh Radanovich.

Një nga senatorët që kanë shprehur shqetësim të veçantë për gjendjen e pakicës serbe në Kosovë është George Voinovich. Në një intervistë që i dha Zërit të Amerikës, senatori tha se në procesin e bisedimeve për statusin, prania e KFOR-it do të ketë rëndësi të veçantë për garantimin e sigurisë: "Mendoj se ka rëndësi që të dyja palëve t’u ofrohen stimuj të fuqishëm që ato të arrijnë një farë kompromisi, tha senatori Voinovich. Ka gjithashtu rëndësi të jashtëzakonshme që Shtetet e Bashkuara të kenë praninë e tyre në tryezën e bisedimeve. Në këto kushte, prania e KFOR-it është më e rëndësishme se asnjëherë më parë në mënyrë që udhëheqësit serbë, të cilëve do t’u kërkohet të bëjnë disa lëshime, të mund t’i garantojnë popullit serb se manastiret dhe objektet e trashëgimisë historike si dhe të drejtat e pakicave në Kosovë do të mbrohen pasi në Kosovë ekziston kjo forcë ushtarake. Kjo gjithashtu do t’u dërgonte një sinjal atyre njerëzve që mendojnë se mund t’i realizojnë qëllimet e tyre me anë të imponimit dhe pa u ndëshkuar."

"Veç kësaj, tha senatori Voinovich, mendoj se ka rëndësi që Serbisë dhe Malit të Zi t’i ofrohen disa stimuj ekonomikë, siç janë perspektiva që ato të bëhen pjesë e Bashkimit Evropian dhe e Natos në të ardhmen, gjë që do të përmirësonte nivelin e tyre të jetesës. Po kështu edhe për kosovarët, në mënyrë që njerëzit e moderuar në Kosovë të mund t’u thonë vëllezërve dhe motrave të tyre se çështja e statusit do të zgjidhet, ndoshta jo pavarësi tani, por do të ecet drejt këtij objektivi dhe kjo do të përmirësonte standartin e jetesës. Megjithatë do të ishte naive të mendohej se kjo do të jetë e lehtë," tha senatori Voinovich.

Ndërsa anëtari i Dhomës së Përfaqësuesve, George Radanovich thotë se rruga drejt përcaktimit të statusit do të jetë e vështirë. "Mendoj se në çështjen e statusit të Kosovës duhet ecur me shumë kujdes. Në rast se do të kërkohet të krijohet një shtet i pavarur i Kosovës pa rrezikuar sigurinë e asnjërit, përfshirë sigurinë e pakicës serbe, kjo mendoj se do të jetë e vështirë. Komuniteti ndërkombëtar duhet të garantojë se çdo vetvendosje për Kosovën nuk do të shkaktojë trazira dhe nuk do të çojë në vdekjen e qytetarëve të pafajshëm."

Zoti Radanovich thotë se alternativat për sa i përket statusit të Kosovës janë pavarësi në aspektin afatgjatë ose pavarësi nën mbikqyrjen e OKB-së për një kohë të gjatë. Megjithëse ata qysh tani e kanë sistemin e tyre të qeverisjes dhe një forcë policore, mendoj se një prani e OKB-së për një farë kohe gjatë pavarësisë do të garantonte mbrojtjen e jetës së qytetarëve të pafajshëm.

XS
SM
MD
LG