Lidhje

Nju Jork Tajms: “Trashëgimtari” mund të interpretohet si një koment i koduar i vetë jetës së Kadaresë


Në prag të daljes nëpër raftet e librarive amerikane të romanit të parë të Ismail Kadaresë, që kur ai fitoi çmimin Man Booker International, kritikët në Shtetet e Bashkuara po luajnë një rol të dyfishtë: atë të analizës së librit, por njëkohësisht edhe të prezantimit të autorit para publikut jo shumë të njohur me të. Gazeta Nju Jork Tajms, botoi në seksionin e saj të së dielës që ia kushton kritikës së librave “Book Review”, analizën për librin “Trashëgimtari”.

Kritikja Lorraine Adams e quan romanin “Trashëgimtari” një tragji-komedi për vdekjen e një komunisti të betuar para se të merrte pushtetin. Pasi vë në dukje se Kadareja ishte në garë me Gabriel Garsia Markesin, Milan Kunderën, Margaret Atvudin, Filip Rothin dhe Xhon Apdajkun, për çmimin Man Booker International, Adams thotë se vepra e tij është më e vështirë për t’u gjetur, sidomos në anglisht, dhe në një farë kuptimi thotë ajo “më e vështirë për t’u rekomanduar”.

“Është një prozë për të frikshmen, me ngjarje që zhvillohen në një reliev shiu dhe gurësh, ku të vetmet shkëndija që ndriçojnë rrugën janë mendimet më të thella të qenieve të trazuara njerëzore”.

Ajo shton se toni i romanit është i fuqishëm. Megjithëse në anglisht libri vjen nga frëngjishtja, pasi është përkthyer më parë nga shqipja, kritikja, që edhe vetë romanciere vë në dukje se fjalitë e zhdërvjellëta të Kadaresë janë njëkohësisht turbulluese dhe me humor.

Në artikull, thuhet se shpesh Kadareja është krahasuar me Kafkën, Oruellin, apo Kunderën, por theksohet se biografia e tij është shumë e ndryshme nga ajo e tyre.

“Ai e ka kaluar pjesën më të madhe të jetës, në një vend ku tmerri ishte real, jo psikologjik. Ai nuk e krijoi në imagjinatën e tij mizorinë e despotizmit, nga qetësia e mbrojtur e demokracisë. Ndryshe nga Kundera, Kadareja në një farë mënyre arriti ta shmangte burgun”, thuhet në analizën e titulluar: “Trashëgimtari”: Një natë e frikshme në Shqipëri.

Duke folur për “Trashëgimtarin”, kritikja përmend faktin që Kadareja është mbështetur tek vetëvrasja e dyshuar e Mehmet Shehut. Romani fillon me thjeshtësinë që sipas analizës, karakterizon stilin e Kadaresë.

Ndërsa hamendjet për pyetjet që shtrohen në libër, marrin forma të ndryshme, Kadareja i paraqet lexuesit monologjet e brendshme intime të personazheve të tij.

“Ne përjetojmë ankthin e çmendur të arkitektit dhe pastaj të doktorit të cilit i kërkohet të bëjë autopsinë, i cili nuk ka dyshim se përgjigjia e tij do të shënojë fundin e tij. Me zhvillimin e ngjarjeve, dëgjojmë zërin e vajzës, djalit, rivalit, Udhërrëfyesit dhe në fund nga varri, atë të vetë Trashëgimtarit”, shkruan kritikja.

Ajo thotë se të gjithë personazhet që janë gjallë mendojnë e rikujtojnë veprimet e asaj nate, të vetat dhe të të tjerëve, duke imagjinuar dhe duke ndryshuar variantet e ngjarjeve që mund t’i nxjerrin të pafajshëm, apo fajtorë si veten e tyre, ashtu edhe të tjerët. Vetëm mendimet e gruas së Trashëgimtarit, për arsye që bëhen të qarta në fund të romanit, nuk dalin në dritë.

Adams shprehet se “Trashëgimtari” mund të interpretohet si një koment i koduar i vetë jetës së Kadaresë.

“Ashtu siç presim me ankth të marrim vesh shkakun e vdekjes së Trashëgimtarit, po ashtu do të donim ta njihnim se ç’vend ka patur në të vërtetë Kadareja në Shqipërinë e Enver Hoxhës. Mund të vijë një ditë që roli i Kadaresë të bëhet më i qartë. A do ta marrim vesh ndonjëherë? Ky roman e zbulon të vërtetën tek fjalët imagjinare të një të vdekuri, duke nxjerrë individin, mbi shumicën. I jep vlerë imagjinatës, duke argumetuar se e vërteta e një njeriu, nuk gjendet gjithmonë tek veprat, apo fjalët e tij, por tek shpirti. Pikërisht atij i falet e gjithë letërsia e madhe”.

Para disa ditësh edhe gazetar Los Angelos Times botoi një kritikë pozitive të Trashëgimtarit. Kritiku James Marcus shkruante se ashtu si librat më të mëdhenj, libri meriton vlerësimin maksimal nga ana e lexuesit: që të lexohet për së dyti.

Trashëgimtari, që del nëpër librari në Shtetet e Bashkuara në shkurt të vitit të ardhshëm, është përkthyer nga David Bellosi, i cili u zgjodh nga Kadareja për të marrë çmimin e përkthyesit Man Booker International. Shtëpia botuese Arcade që botoi librin, ka në proces botimi edhe Vajzën e Agamemnonit.

XS
SM
MD
LG