Lidhje

Shqipëri: Mbyllet me tension seanca parlamentare e debatit për korrupsionin


Është mbyllur me tension dhe një vendim ekstrem të opozitës seanca për debat lidhur me fenomenin e korrupsionit. Acarimi nisi që gjatë mbrëmjes së djeshme ku pak para mesnatës punimet e parlamentit u bllokuan pas vendimit të kryetares Jozefina Topalli për të nxjerrë jashtë salle një deputet socialist.

Sot deputetët e partisë më të madhe të opozitës nuk u ulën sërish në sallë në shenjë proteste, por qëndruan lart në llozhat e parlamentit, vetëm për të ndjekur deklaratën e kryetarit të grupit të tyre parlamentar Pandeli Majko që njoftoi bojkotimin e punimeve:

"Në saje të kryeministrit tuaj shumë dinjitoz pamë se seanca u kthye në teatër absurd. Reforma antikorrupsion u kthye në dhunë verbale. Ai grup është vendosur në llozhë por për të shprehur protestën karshi kryeministrit tuaj dhe mënyrës se si jeni sjellë dje në parlament, sjellje që ju hedh poshtë atë që keni thënë se do të jeni avokate e opozitës. Po përsërisni të njëjtat gabime që keni bërë në 1992 dhe që i konkluduat në 1997. Ne kemi vendosur të mos vijmë në seancë derisa të jemi të bindur se kjo frymë në këtë sallë nuk do të jetë e njejtë me atë të djeshmen".

Punimet e parlamentit vazhduan më pas normalisht. Debati i nisur që dje u karakterizua nga akuzat e ashpra që e djathta në pushtet bëri ndaj pararendësve të saj. Pothuajse çdo ministër bëri biografinë e atij që ka zëvendësuar duke deklaruar se kanë konstatuar abuzime të shumta financiare. Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike Baimr Topi deklaroi se më e pakta që socialistët duhej të bënin ishte të reflektonin:

"Pamë një grup parlamentar të opozitës, i cili duhej të refkektonte për atë dëm të konsiderueshëm që i kanë bërë jetës së instiotucioeve dhe të shqiptarëve.Ne e kemi shprehur dhe here të tjera se parlamenti ka nevojë për një opozitë serioze që di të bashkëpunoj, për një opozitë e cila dje kur ishte në mazhorancë ka përdorur mjaft demogogji për luftën kundër korrupsionit, për një sistem kundër kësaj sëmundjeje".

Por dhe socialistët nga ana e tyre janë kundërpërgjigjur se fushata antikorrupsion e demokratëve dhe qeverisë së kryeministrit Berisha është vetëm një alibi për të ndërmarrë spastrime politike. Nga selia e partisë së tij, kryetari Edi Rama u shpreh lufta e demokratëve kunder korrupsionit e nuk është gjë tjetër vecse përbaltje e kundërshtarëve dhe se korrupsioni sipas tij nuk luftohet me fjalë, me fyerje, me akuza në erë, por me reforma.

Socialistët vendosën që të bojkotojnë punimet e parlamentit deri të hënën e ardhshme. Ndërsa demokratët miratuan rezolutën e përgatitur prej tyre në të cilën i kërkohet qeverisë reformimi dhe strukturimi i shërbimit sekret, një objektiv të cilin në të vërtetë qeveria ka kohë që ja ka vënë vetes. Po ashtu iu kërkua prokurorisë që të rrisë reagimin për luftën kundër korrupsionit duke ndjekur penalisht cdeo zyrtar të lartë të përfshirë në korrupsion. Po ashtu parlamenti me anë të rezolutës angazhohet që brenda vitit të shmangë gjendjen e konfliktit të interesave në Këshillin e lartë të Drejtësisë, edhe kjo një çështje për të cilën ka një debat të hapur, vecanërisht për faktin se vetë ky këshill, apo dhe ministria e Drejtësisë si dhe programi i asisitencës ligjore të Bashkimit europian janë anashkaluar tërësisht.

XS
SM
MD
LG