Lidhje

Presidenti Bush në Korenë e Jugut


Presidenti Bush mbërriti në Korenë e Jugut ku do të marrë pjesë në takimin e nivelit të lartë për Bashkëpunimin Ekonomik të vendeve të Azi-Paqësorit.

Zoti Bush do të takohet nesër me presidentin koreanojugor Roh Moo-hyun në qytetin Gyongju para se të dy udhëheqësit të nisen për në Busan të premten kur fillon takimi vjetor i nivelit të lartë të APEC-ut.

Konferenca pritet të inkurajojë anëtarët e Organizatës Botërore të Tregëtisë për të kapërcyer mosmarrëveshjet rreth subvencioneve bujqësore. Në konferencë do të diskutohet gjithashtu rreth të drejtave të pronësisë intelektuale, gripit të shpendëve dhe terrorizmit.

Zoti Bush mbërriti në Korenë e Jugut nga Kiotoja e Japonisë. Gjatë një fjalimi atje ai tha se Kina duhet t’u japë më shumë liri politike qytetarëve të saj duke përmendur rivalin e saj, Taivanin si një shembull të shoqërisë së suksesshme demokratike. Ministri i Jashtëm i Kinës Li Zhaoxing i hodhi poshtë komentet e zotit Bush dhe tha se rreth Kinës dhe Taivanit nuk duhet folur sikut ato të jenë dy entitete të veçanta.

Ndërkaq, gjatë qëndrimit në Japoni, Presidenti Bush foli për gjendjen në Birmani, ku theksoi se politikat shtypëse të qeverisë së saj e kanë shndërruar një vend të pasur me talent njerëzor dhe burime njerëzore, në një vend ku miliona vetë luftojnë për të përballuar jetën.

Presidenti Bush tha se forcat ushtarake birmaneze shkelin në mënyrë masive të drejtat e njeriut, kryejnë përdhunime, tortura, ekzekutime dhe zhvendosje të detyruara të popullsisë. Ai tha se Birmania ka probleme edhe me punën e detyruar, trafikun njerëzor diskriminimin fetar dhe shfrytëzimin e fëmijëve si ushtarë.

Qeveria e Birmanisë nuk është shprehur për komentet e Presidentit Bush. Gjatë viteve të fundit, zyrtarët birmanezë kanë thënë vazhdimisht se janë të përkushtuar për ta bërë Birmaninë një vend më demokratik.

XS
SM
MD
LG