Lidhje

Krasniqi: Rezoluta e miratuar shpreh vullnetin e popullit, për Kosovën shtet të pavarur dhe sovran


Për të diskutuar mbi përmbajtjen e rezolutës së miratuar sot nga Parlamenti i Kosovës, Zëri i Amerikës intervistoi Kryetarin e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Jakup Krasniqi.

Zëri i Amerikës: Zoti Krasniqi, Rezoluta u miratua me disa ndryshime të variantit të parë të paraqitur nga Partia Demokratike. Çfarë ndryshimesh i janë bërë këtij varianti?

Jakup Krasniqi: Në fakt, sot në Kuvendin e Kosovës është miratuar rezoluta, për të shprehur vullnetin politik të popullit të Kosovës, për Kosovën shtet të pavarur dhe sovran. Rezoluta që është miratuar sot nga deputetët e Kuvendit që kanë qenë prezent, është në esencë rezoluta, që kohë më pare ka ofruar Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës; dhe sot, të gjitha grupet parlamentare, në unitet të plotë, kanë harmonizuar (lexo: formuluar) tekstin dhe teksti është lexuar në Parlamentin e Kosovës. Teksti është i harmonizuar dhe shpreh qëndrimin dhe vullnetin e të gjithë përfaqësuesve politikë të të gjithë qytetarëve të Kosovës, përveç palës së minoritetit serb.

Zëri i Amerikës: Më konkretisht, çfarë ndryshimesh ju bënë variantit të parë të rezolutës, për të cilën pati debat?

Jakup Krasniqi: Ndryshimi i parë është se rezoluta në tekstin e harmonizuar kohë më pare nga shefat e grupeve, ka qenë “Resolutë për Kosovën shtet të pavarur dhe Sovran”; ndërsa tani, teksti është: “Rezolutë për rikonfirmin e vullnetit të popullit të Kosovës, për Kosovën shtet të pavarur dhe Sovran”. Kurse ndryshimi tjetër është në pikën një. Në rezolutën e mëparshme thuhej se “Kuvendi i Kosovës rikonfirmon shpalljen e vullnetit të popullit të Kosovës për Kosovën shtet të pavarur dhe Sovran” dhe tani fjala “shpallja” është hequr dhe thuhet “Kuvendi i Kosovës rikonfirmon vullnetin e popullit të Kosovës për Kosovën shtet të pavarur dhe sovran.”

Zëri i Amerikës: Zyrtarët ndërkombëtarë në Kosovë u shprehën dje me rezerva ndaj rezolutës. A mendoni që pas këtyre ndryshimeve, ajo do të jetë më e pranueshme…

Jakup Krasniqi: Ne besojmë që me ndryshimet që janë bërë dhe me tekstin që është më i konkretizuar, në disa drejtime, nuk do të hasë në kundërshtimin e faktorit ndërkombëtar dhe jam i bindur që kjo është e pranueshme dhe në fakt shpreh në një formë dhe vlerëson edhe kontributin e bashkësisë ndërkombëtare për realitetin e ri që është krijuar në Kosovë.

Zëri i Amerikës: Një nga pikat e rezolutës, është edhe respektimi dhe garantimi i të drejtave të minoriteteve, një çështje për të cilën zyrtarët ndërkombëtarë kanë shprehur vazhdimisht shqetësime. Si mendoni se do të arrihet realizimi i tyre?

Jakup Krasniqi: Deri tani, zyrtarët e Kosovës kanë patur shumë kufizime në ushtrimin e detyrave të tyre ekzekutive. Ne shpresojmë që me marrjen e përgjegjësive nga institucionet e Kosovës, ato do të garantojnë një jetë të lirë dhe të qëndrueshme me të gjithë komunitetet që jetojnë dhe dëshirojnë ta ndërtojnë jetën e tyre të re në shoqërinë demokratike në Kosovë.

Zëri i Amerikës: Zoti Krasniqi, zyrtarët ndërkombëtarë jo vetëm në Kosovë, por edhe në diskutimet që janë zhvilluar këtu në Washington, kanë shprehur shqetësime lidhur me mosvarrëveshjet mes politikanëve shqiptarë dhe ndikimin që mund të kenë ato në bisedimet për statusin. Me miratimin e rezolutës, a mund të thuhet se janë kapërcyer këto mosmarrëveshje?

Jakup Krasniqi: Mendoj që rezoluta që është miratuar sot në Kuvendin e Kosovës i ka kapërcyer të gjitha divergjencat që kanë ekzistuar mes subjekteve politike në Kosovë, ose liderëve politikë në Kosovë. Tani këta liderë politikë kanë përpara një projekt të rezolutës e cila i jep të drejtën dhe obligim Kuvendit të Kosovës që të monitorojë të gjithë procesin politik në bisedimet për të ardhmen e Kosovës.

Zëri i Amerikës: Negociatat për statusin pritet të fillojnë së shpejti. Deri në ç’fazë kanë arritur tashmë përgatitjet e grupit negociator të Kosovës dhe si do ta gjykonit ju përgatitjen e tyre?

Jakup Krasniqi: Mendoj që rezoluta ka hapur perspektiva të reja, janë bërë përpjekjet e para nga grupi politik strategjik që do t’i ofrojë dokumentet përkatëse grupit negociator dhe jemi të bindur se përfaqësuesit politikë të Kosovës do të jenë të përgatitur për të hyrë në këtë proces që nuk do të jetë i lehtë; do të jetë një proces, por kemi bindjen, se me ndihmën dhe me mbështetjen e komunitetit ndërkombëtar Kosova dhe përfaqësuesit e saj do të dalin me sukses edhe në këtë proces të vështirë.

XS
SM
MD
LG