Lidhje

Noris: Sfida më e madhe për Shtetet e Bashkuara është që të mbeten të angazhuara në çështjen e Kosovës


Tani që fillojnë përgatitjet për bisedimet mbi statusin përfundimtar të Kosovës, komuniteti ndërkombëtar po u bën thirrje udhëheqësve politikë të Kosovës dhe grupit negociator që të punojnë dhe të mos humbasin kohë në këto përgatitje. Ndërsa Prishtina, Beogradi dhe komuniteti ndërkombëtar përgatiten të gjejnë një zgjidhje të statusit të Kosovës, analistët shprehen se kjo nuk do të jetë e lehtë. Njëri prej tyre është John Norris i Grupit Ndërkombëtar të Krizave, i cili shpreh skepticizëm rreth propozimit të Beogradit, që Kosovës t’i jepet autonomi, por jo pavarësi. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, zoti Norris tha se shqiptarët duhet të garantojnë respektimin e të drejtave të pakicave, duke i dërguar kështu komunitetit ndërkombëtar një mesazh të fuqishëm se shqiptarët e Kosovës e shikojnë me seriozitet bashkë-ekzistencën me sërbët. Lidhur me angazhimin amerikan, ai theksoi se sfida më e madhe për Shtetet e Bashkuara është që të mbeten të angazhuara.

Zëri i Amerikës: Zoti Norris, Ju keni shprehur kritika në adresë të udhëheqësve politikë të Kosovës. Sa i rëndësishëm është roli i tyre në procesin e bisedimeve për statusin.

Xhon Noris: Mendoj se është shumë e rëndësishme që udhëheqësit politikë të shqiptarëve të Kosovës të dërgojnë një mesazh pozitiv tani që fillojnë përgatitjet për bisedimet mbi statusin përfundimtar të Kosovës. Grupi Negocues në fakt nuk ka qënë një ekip i bashkuar, ata nuk janë mbledhur aq shpesh sa popullata ka pritur prej tyre. Mes disa prej anëtarëve ka pasur mosmarrëveshje të hapura. Është harxhuar energji dhe kohë në përpjekje për të siguruar një deklaratë për pavarësi në parlament. Prandaj mendoj se këto nuk janë format më të mirat dhe më konstruktivet për sa i përket shfrytëzimit të kohës para fillimit të bisedimeve kaq të rëndësishme dhe të ndërlikuara. Mendoj se do të ishte më e dobishme që udhëheqësit politikë të Kosovës të angazhohen më pak në grindje politike dhe më shumë në përgatitje serioze për bisedimet.

Zëri i Amerikës: Ju përmendët pavarësinë e Kosovës. Duke pasur parasysh qëndrimet e ndryshme të Prishtinës dhe Beogradit, a mendoni ju se këto dy palë do të gjejnë një gjuhë të përbashkët për të arritur në një zgjidhje për statusin e Kosovës.

Xhon Noris: Me siguri që nuk do të jetë diçka e lehtë. Unë jam skeptik lidhur me propozimin e Sërbisë që Kosovës t’i jepet autonomi, por jo pavarësi. E them këtë duke pasur parasysh gjendjen në Mal të Zi. Pra do të jetë shumë e vështirë të sugjerohet që Kosova të jetë pjesë e një federate me Beogradin, ndërkohë që i vetmi model i tillë, ai me Malin e Zi, po shpërbëhet. Mendoj se do të kërkohet shumë punë nga Grupi i Kontaktit, i dërguari i posaçëm Ahtisari, pala shqiptare e ajo sërbe në bisedime për të gjetur një zgjidhje që u shërben të gjithëve dhe të sigurohen që çështjet shqetësuese për të gjithë të zgjidhen në mënyrë të arsyeshme dhe t’i qëndrojnë kohës.

Zëri i Amerikës: E megjithatë po shtohen zërat gjithnjë e më shumë se pavarësia e Kosovës është zgjidhja më e mirë e më e arsyeshme. A mendoni ju se kjo është zgjidhja më e mirë?

Xhon Noris: Grupi Ndërkombëtar i Krizave ka mbështetur për një kohë të gjatë një farë pavarësie të kushtëzuar për Kosovën si zgjidhja e vetme e arsyeshme. Ambasadori Richard Holbruk tha javën e kaluar se e shikonte të pamundur që nga bisedimet të dilte një zgjidhje tjetër veç një farë pavarësie e kushtëzuar. Mendoj se në fund të fundit, një zgjidhje e tillë është më e arsyeshme. Por është gjithashtu e rëndësishme për komunitetin shqiptar të kuptojë se sa të rëndësishëm janë elementët e tjerë të procesit dhe që ato të zgjidhen brënda një kohe të përshtatshme. Komuniteti ndërkombëtar nuk është i kënaqur me përparimin e bërë nga ekipi negociues Të gjithë e kuptojnë se shqiptarët kërkojnë pavarësinë dhe gjithnjë e më shumë po arrihet në përfundimin se kjo do të jetë rezultati i bisedimeve, por vetë shqiptarët nuk duhet të humbasin kohe, por të përqëndrohen në zgjidhjen e të gjitha hollësive të nevojshme për të finalizuar statusin e Kosovës.

Zëri i Amerikës: Zoti Norris, a mendoni ju se shqiptarët e Kosovës kanë bërë përparimin e duhur për sa i përket mbrojtjes dhe respektimit të të drejtave të pakicave, në mënyrë që këto pakica të ndjehen të pakërcënuara për të banuar në Kosovë.

Xhon Noris: Vlerësimet kanë qënë të ndryshme. Për sa i përket qëndrimit të Kombeve të Bashkuara, rishqyrtimi i standarteve në përgjithësi u vlerësua si pozitiv, megjithëse jo çdo gjë ishte arritur. Me siguri që shumë njerëz nuk i kanë harruar ngjarrjet e marsit të vitit të kaluar. Shqetësohem që disa elementë të partive politike mendojnë se jemi ende në vitet 1998, 1999 dhe jo 2005. Disa prej taktikave, që u përdorën atëhere dhe që tërhoqën vemendjen e komunitetit ndërkombëtar ndoshta nuk janë më të përshtatshme. Mendoj se ekziston gjithnjë rreziku se disa njerëz e shikojnë dhunën si mënyrën për të përshpejtuar bisedimet, ndërkohë që ajo ka ndikim të kundërt. Gjithashtu kemi të bëjmë me mënyrën se si perceptohen gjërat. Gjendja e pakicës sërbe nuk është keq, por sërbët nuk janë gjithnjë të mirëpritur nga komuniteti shqiptar. Ende ekziston perceptimi se mes dy komuniteteve ka armiqësi. Megjithëse të dyja palët mund dhe duhet të ndihmojnë në krijimin e marrëdhënieve të mira dy-palëshe, shqiptarët duhet të garantojnë respektimin e të drejtave të pakicave, duke i dërguar kështu komunitetit ndërkombëtar një mesazh të fuqishëm se shqiptarët e Kosovës e shikojnë me seriozitet bashkë-ekzistencën me sërbët.

Zëri i Amerikës: Shqiptarët e Kosovës shikojnë gjithashtu si shumë të rëndësishëm angazhimin e Shteteve të Bashkuara në bisedimet për statusin. Si e shikoni angazhimin amerikan të kohëve të fundit amerikan në çështjen e Kosovës.

Xhon Noris: Mendoj se fillimi është premtues. Zoti Nicholas Burns është zyrtar i lartë dhe diplomat me përvojë. Mendoj se deklarata e parimeve, që u hartua nga Grupi i Kontaktit, ishte një dokument shumë i arsyeshëm dhe i shkruar mirë, që mendoj se do të mbështetet në përgjithësi nga të gjithë. Mendoj se sfida më e madhe për Shtetet e Bashkuara është që të mbeten të angazhuara. Qëndrimi që Shtetet e Bashkuara kanë shprehur hapur se do të mbështesin zgjidhjen që do të dalë nga bisedimet, nuk mendoj se do t’i qëndrojë kohës, por shumica e diplomatëve në prapa skenë mbështesin një farë pavarësie të kushtëzuar. Mendoj se Shteteve të Bashkuara do t’u duhet ta shprehin këtë qëndrim hapur më mirë herët se sa vonë. Në mënyrë që të arrihet një zgjidhje në bisedime, e pranushme nga të gjitha palët, Shtetet e Bashkuara nuk mund të mbajnë një qëndrim strategjik të paqartë, me dy kuptime midis dëshirës dhe qëndrimit të vërtetë lidhur me çështjen e Kosovës. Zoti Ahtisari është një emisar dhe negociator i talentuar, por në fund të fundit shumë njerëz do të shikojnë nga Washingtoni për një sinjal të qartë rreth qëndrimit të tij. Ndërkohë që Washingtoni përballet me shumë çështje të vështira që tërheqin vemendjen e tij, çështja e Kosovës duhet të ketë përparësi për qeverinë amerikane. Ka shumë diplomatë dhe zyrtarë të lartë që ndjekin zhvillimet në Ballkan, për të parë se çfarë forme do të marë ky rajon, se cili do të jetë statusi përfundimtar i Sërbisë, Malit të Zi e Kosovës. Dhe kjo mendoj do të jetë fillimi i një kapitulli të ri për Ballkanin. Zgjidhja e këtyre çështjeve do të përmirësojë ndjeshëm gjendjen në Bosnje, do të ndihmojë bisedimet mbi statusin e Kosovës e kështu me radhë. Pra mendoj se nuk është vetëm në interesin e Amerikës, por edhe të Evropës e gjithë Ballkanit, që çështja e Kosovës të zgjidhet përfundimisht.

XS
SM
MD
LG