Lidhje

Ashpërsohet debati për tërheqjen amerikane nga Iraku


Shtëpia e Bardhë tha se thirrja e anëtarit të kongresit, John Murtha, që presidenti Bush të tërheqë forcat amerikane nga Iraku është tronditëse. Korespondenti ynë pranë Shtëpisë së Bardhë, John Stearns, njofton nga Koreja e Jugut, ku presidenti mer pjesë në një takim ekonomik të nivelit të lartë të vendeve të Azi-Paqësorit.

Anëtari demokrat i kongresit amerikan, John Murtha, ka qënë një prej përkrahësve më të mëdhenj të presidentit Bush për luftën në Irak. Prandaj Shtëpia e Bardhë mbeti veçanërisht e shtangur kur veterani i luftës së Koresë dhe luftës së Vietnamit bëri thirrje për tërheqjen e trupave amerikane.

Këshilltari i Sigurimit Kombëtar, Stephen Hadley tha se zoti Murtha është një udhëheqës i rëndësishëm në kongres, por lidhur me këtë çështje presidenti Bush mendon se ai është gabim. “Ne mendojmë se ky është qëndrimi i gabuar. Ne nuk e kuptojmë se si një tërheqje e menjëhershme mund të kontribuojë në fitimin e luftës kundër terrorizmit dhe në krijimin e qëndrueshmërisë në Irak. Si mund të bëhet Amerika më e sigurtë. Ky qëndrim nuk duket se bën të mundur arritjen e objektivave që kemi përcaktuar. Prandaj thjeshtë ne mendojmë se anëtari i kongresit është shprehur gabim lidhur me këtë çështje.”

Në një deklaratë me shkrim, zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Scott McClellan dha një përgjigje edhe më të ashpër, kur tha se ligjvënësi nga shteti Pensillvenia, po mbështet politikat e regjizorit Michal Moore dhe atë që zëdhënësi e cilësoi si krahun ekstrem liberal të Partisë Demokrate.

Në prag të zgjedhjeve demokratike historike në Irak, zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë tha se tani nuk është koha që të dorëzohemi para terroristëve. Pasi pa deklaratën e anëtarit të kongresit Murtha, zoti MsClellan tha se në të ligjvënësi nuk shpjegon se si tërheqja e trupave nga Iraku e bën Amerikën më të sigurtë.

Zoti Murtha ka lidhje të ngushta me shumë zyrtarë të lartë të Pentagonit me që është demokrati më me peshë në nënkomisionin e rëndësishëm të Dhomës së Përfaqësusve për caktimin e fondeve të mbrojtjes. Në komentet plot emocione që bëri për gazetarët në Washington, ligjvënësi Murtha tha se ka ardhur koha që trupat amerikane të kthehen në atdhe. Ushtria amerikane, tha ai, e ka përmbushur misionin e saj. Zoti Murtha tha se trupat amerikane janë shndëruar në një katalizator dhune si objektivi kryesor i kryengritësve në Irak, të cilët janë të bashkuar kundër forcave amerikane. Lufta, tha ai, nuk po shkon si reklamohet, duke e cilësuar atë si një politikë të gabuar e zhytur në iluzione.

Dënimi nga ana e Shtëpisë së Bardhë është veçanërisht i ashpër pasi e lidh anëtarin demokrat të kongresit me regjizorin Michael Moore, filmi i të cilit Ferenhait 9/11 e kritikon rëndë justifikimin e administratës së presidentit Bush për të hyrë në luftë në Irak. Zoti Moore ka thënë se realizimi i filmit para vitit 2004 kishte pjesërisht për synim që të bëhej ndikim që presidenti Bush të mos fitonte një mandat të dytë.

Shtëpia e Bardhë është angazhuar në një fushatë të gjerë për të parandaluar kritikat lidhur me përdorimin nga presidenti Bush të informacionit të zbulimit para ndërhyrjes amerikane në Irak. Nën-presidenti Dick Cheney tha këtë javë se demokratët nuk po tregohen të ndershëm kur thonë se presidenti me qëllim e keqinformoi vendin rreth nevojës për të ndërhyrë në Irak.

XS
SM
MD
LG