Lidhje

Presidentët Bush dhe Hu Gjin Tao premtojnë bashkëpunim


Presidenti Bush dhe Presidenti i Kinës Hu Gjin Tao u zotuan të bashkëpunojnë për një sërë çështjesh, përfshirë përmirësimin e disbalancës tregëtare.

Dy udhëheqësit u takuan sot në Pekin. Në një konferencë të përbashkët shtypi, presidenti kinez tha se Kina do të marrë masa për të pakësuar sufiçitin tregëtar dhe do të shtojë përpjekjet për respektimin e të drejtave të autorit.

Presidenti Bush i bëri thirrje Kinës për të lejuar më shumë liri politike e fetare për banorët.

Është e rëndësishme që të shtohet liria sociale, fetare dhe politike në Kinë. Ne i bëjmë thirrje Kinës të vazhdojë procesin historik të tranzicionit drejt shtimit të lirive.

Nga ana e tij Presidenti kinez, Hu Jintao, tha se Kina aktualisht gëzon liritë e demokracisë. Ai premtoi ndërmarrjen e hapave për zgjidhjen e fërkimeve ekonomike, dhe tha se të dy presidentët kërkojnë një rrugëdalje ku përfitimi të jetë i ndërsjellë.

Të dy palët shprehën dëshirat për unitet dhe gradualisht barazpeshimin e tregtisë ndërmjet Kinës dhe Shteteve të Bashkuara, duke patur parasysh zgjerimin e tregtisë mes dy vendeve. Problemet që mund të dalin gjatë këtij zhvillimi të shpejtë të tregtisë dypalëshe mundë të zgjidhen më mirë përmes bisedimeve.

Dy udhëheqësit i pranuan diferencat por theksuan çështjte ku mund të bashkëpunojnë, nga parandalimi dhe futja nën kontroll e gripit të shpendëve deri tek përpjekjet për të bindur Korenë e Veriut të heqë dorë nga ambiciet bërthamore.

Dy vendet tona kërkojnë një Gadishull Korean të qendrueshëm, në paqe dhe pa armë bërthamore....tha presidenti Bush ndërkohë që falendori Kinën si vend mikpritës i bisedimeve gjashtëpalëshe rreth armëve bërthamore të Koresë së Veriut.

Presidenti Bush e ftoi homologun kinez për të vizituar Amerikën vitin që vjen. Vizita që ishte planifikuar për muajin shtator u shty si rezultat i uraganit Katrina. Kjo është vizita e tretë e Presidentit Bush në Kinë që nga ardhja e tij në postin e presidentit. ***

XS
SM
MD
LG