Lidhje

KESH: Problemet teknike pengojnë transmetimin e energjisë së importuar


Shqipëria vazhdon të përjetojë një krizë të rëndë energjitike. Ndonëse u premtua shfrytëzimi maksimal i importeve, sasia e energjisë së transmetuar nuk i ka kaluar të 6 milion kilovat orët në ditë. Situata rrezikon të përkeqësohet me rritjen e konsumit të brendëshëm për shkak të temperaturave të ulta që kanë mbërrthyer të gjithë vendin. Në programin Ditari i morën këtë intervistë drejtorit të Korporatës Energjitike Shqiptare, Andi Beli.

Zëri i Amerikës: Zoti Beli, qeveria premtoi se do të kishte më pak kufizime, rreth 40 përqind nga ato të tanishmet, pra do të shtohej numri i orëve që njerëzit kanë dtrita. Por ndonëse po mbushet një javë nga ky premtim, kufizimet vazhdojnë të jenë gati në nivelet e mëparshme. Cili është shkaku i kësaj gjendjeje? Përse nuk po importohet energji me kapacitet të plotë?

Andi Beli: Në radhë të parë duhet të saktësojmë që sasia e energjisë që nga java e kaluar është rritur më tepër se 40 % dhe në këtë moment ne po importojmë 220 megavat gjatë ditës dhe mbas orës 22 kjo sasi energjie mund të arrijë deri në 300 megavat. Domethënë nga fillimi i javës së kaluar ishin afro 70 megavat, me një llogaritje të thjeshtë arrihet në përfundimin se është më tepër se 40 përqind sasi energjie e importuar. Kurse përsa i përket kufizimeve në Tiranë ka dy ditë që ka filluar një test për zvogëlimin e kufizimeve në mënyrë të veçantë në pjesën e paradrekës, dhe në qytetet e tjera sistemi që është zbatuar javës që kaloi në Tiranë por të shtohet në qytetet kryesore të vendit. Është një sistem stafete që përcillet nga kryeqyteti mbasi testohet në sistemin tonë energjitik, në qytetet e tjera dhe kjo do të vazhdojë gradualisht duke u përmirësuar në të gjithë vendin.

Zëri i Amerikës: Shqipëria është përfshirë këto ditë nga temperatura të ulta dhe konsumi i energjisë pritet të shtohet me që ngrohja bëhet në pjesën më të madhe me energji. Çfarë skenari keni parashikuar ju në një situatë të tillë?

Andi Beli: Në këtë moment skenari që parashikojmë është ky: një bilancim dhe një përdorim sa më i kujdesshëm i prurjeve që kemi në lumin e Drinit, për fat të mirë rreshjet sidomos në liqenin e Komanit kanë sjellë një rritje të prurjeve deri në 120 metra kubë, në Fierzë dhe në Koman janë rritur akoma më tepër. Po menaxhojmë me shumë kujdes kaskadën e Drinit dhe strategjia taktike për muajin që vjen është ajo e rritjes maksimale të importit sidomos në orët e vona për të mbuluar furnizimin me energji elektrike të fazës së ngrohjes dhe do të përpiqemi të marrim maksimumin me linjat që kemi deri në 350 megavat në linjat e interkoneksionit.

Zëri i Amerikës: Pra pse nuk është arritur ky transmetim maksimal? Andi Beli: Ky transmetim maksimal varet edhe nga shkaqet teknike në mënyrë të veçantë në linjat e veriut. Po bëhen të gjitha përpjekjet që të kemi sa më tepër energji edhe nga linjat e jugut. Do të jetë diçka graduale.

Zëri i Amerikës: Zoti Beli, a mund të quhet kriza energjitike e kapërcyer? A mund të vazhdojnë të shpresojnë qytetarët për uljen e kufizimeve apo gjendja do të keqësohet më tej?

Andi Beli: Jam optimist se gjendja do të përmirësohet, por është një ekuilibër që shkohet midis një konsumi në rritje të theksuar nga temperaturat e ulta, vetëm gjatë ditëve të fundit konsumi është rritur me një milion kilovat/orë në ditë. Prandaj po bëjmë përpjekjet maksimale që të rrisim importin në nivele që sistemi jonë energjitik lejon në këtë moment.

Zëri i Amerikës: Qeveria thotë se i ka siguruar sasitë e energjisë për muajt nëntor -dhjetor. Në kushtet kur ka probleme teknike siç e thatë edhe ju për transmetimin e sasisë së blerë, a mendoni ju se do t'i zgjidhni këto probleme për t'i thithur importet në sasinë maksimale?

Andi Beli: Jam më se i bindur që do ti zgjidhim problemet sepse po përpiqemi me të gjitha forcat me grupet e punës të specialistëve të Ministrisë dhe të Keshit për të ribalancuar sistemin tonë. Po ashtu problemet teknike nuk varen nga sistemi ynë energjitik. Problemet teknike në 90 përqind të rasteve varen nga linjat e interkoneksionit që varen nga shtetet fqinje. Domethënë është e thjeshtë në problem, koordinimi me vendet fqinje dhe i prenotimi i kapaciteteve jashtë vendit.

Zëri i Amerikës: Pra çfarë afati kohor do t’u jepnin ju konsumatorëve?

Andi Beli: Do të përpiqemi të bëjmë të pamundurën, sa më shpejt. Në qoftëse do të arrijmë që këto kapacitete të lirohen brenda javës, kilovatori i parë që do të merret do të futet menjëherë në sistem, siç po bëhet edhe tani.

Zëri i Amerikës: Zoti Beli, mungesa e energjisë në Shqipëri, jo vetëm që mund ta zhysë vendin në krizë ekonomike por ndikon dukshëm edhe tek investitorët e huaj duke i larguar ata nga vendi juaj. Cili mendoni ju se do të jetë zgjidhja afat-gjatë e këtij problemi?

Andi Beli: Zgjidhja afat-gjate do të jetë në radhë të parë bilancimi i sistemit të brendëshëm, sepse gjatë këtij viti sistemi i prodhimit të energjisë në vend ka qenë i ç’balancuar. Ndërkohë do të shikohen dhe do të bëhen investime të fuqishme përsa i përket edhe energjive alternative. Do të doja të isha më pragmatik në këtë moment. Kam marrë kontakt me pjesën më të madhe të investitorëve të huaj që janë prezent në Shqipëri dhe ekziston vullneti i mirë dhe i koordinimit të furnizimit me energji të këtyre bizneseve. Deri tani mund të them se kemi pasur një bashkëpunim dhe koordinim më se të kënaqshëm.

XS
SM
MD
LG