Lidhje

Ekspertët thonë se reforma në drejtësi do të ndihmonte në frenimin e korrupsionit në Ballkan


Në një raport të kohëve të fundit të Bashkimit Evropian thuhet se sigurimi i integritetit dhe pavarësisë së gjyqësorit është një nevojë urgjente në Bosnjë-Hercegovinë, Serbi e Mal të Zi dhe në Shqipëri. Autoriteteve shqiptare dhe të vendeve të tjera të rajonit po u bëhet trysni që të zbatojnë reforma juridike.

Në raportin e Bashkimit Evropian thuhet se korrupsioni vazhdon të jetë problem i madh në Ballkan. Në një rajon ku përdorimi i ryshfetit, pastrimi i parave dhe krimi i organizuar janë dukuri të përhapura në shkallë të gjerë, Bashkimi Evropian thotë se pastrimi i sistemit gjyqësor është një nevojë thelbësore e reformës.

Në Shqipëri, tradita e një gjyqësori të pavarur nuk është e fortë. Gjatë 45 viteve të regjimit më të ashpër komunist, gjykatësit i merrnin urdhrat nga partia në pushtet. Përpjekjet për reforma në fillim të viteve 1990 u ndërprenë përkohësisht në vitin 1997, kur skandali i skemave piramidale çoi thuajse në një anarki të plotë dhe në shembje institucionale.

Financieri amerikan, George Soros, ka shpenzuar mbi 40 milionë dollarë për të nxitur reformat demokratike në Shqipëri. Një pjesë e mirë e këtyre fondeve u përdorën për përgatitjen e avokatëve dhe të gjykatësve.

Megjithëse është bërë përparim, zoti Soros shqetësohet se atje vazhdon prirja për të përdorur sistemin juridik për qëllime politike:

“Njerëz të rinj dhe të aftë janë angazhuar në sistemin gjyqësor dhe tani është shumë e rëndësishme që të mos ketë ndërhyrje politike. Atëherë mendoj, theksoi zoti Soros, se gjyqësori do të provojë se funksionon si duhet.”

Zoti Soros ishte për vizitë në Tiranë javën e kaluar, për herë të parë pas pesë vjetësh.

Pas zgjedhjeve parlamentare të korrikut, Shqipëria ndodhet në mes të procesit të saj të parë të transferimit paqesor të pushtetit që nga shembja e komunizmit. Zoti Soros dhe të tjerë paralajmërojnë qeverinë e re kundër përpjekjeve për të përdorur gjyqësorin për ndëshkimin e rivalëve politikë:

“Shpresoj, tha zoti Soros, se lufta kundër korrupsionit nuk do të degradohet duke u shndërruar në një seri veprimesh arbitrare që në të vërtetë do të dëmtonin institucionet që janë themeluar në këtë vend.”

Profesori i së drejtës në Shqipëri, Ledi Bianku, i cili drejton Qendrën Evropiane të Tiranës, vë në dukje disa prej nevojave të domosdoshme për reforma juridike në mënyrë që të ndalohet ndërhyrja politike:

“Është paanësia e gjyqëtarëve ndaj rasteve të korrupsionit dhe vetë gjyqësorit, është edhe aftësia për t’u marrë menjëherë dhe në mënyrë profesionale me këto raste, për shkak se nëse gjyq ëtari nuk është i përgatitur si duhet nga ana profesionale, thekson profesor Bianku, ka shumë mundësi që ai të pranojë ryshfete ose të lejojë ndërhyrjen politike.”

Në raportin e tij, Komisioni Evropian thotë se Shqipëria duhet të përmirësojë efektshmërinë dhe pavarësinë e sistemit gjyqësor. Në raport thuhet se gjyqësori në Serbi është po aq problematik.

Kryetarja e këshillit serb kundër korrupsionit, Verica Baraç, thotë se në Serbi nuk ekzistojnë kushtet për një gjyqësor të pavarur. Ajo thekson se gjyqëtarët kontrollohen nga qeveria dhe se atje mungon vullneti politik për të luftuar korrupsionin.

Boris Begoviç i Qendrës së Beogradit për Studime Liberale e Demokratike ka shkruar gjerësisht rreth korrupsionit. Ai argumenton se sistemi jurdik i Serbisë ka nevojë të madhe për reforma:

“Gjykatësit nuk janë të aftë, veçanërisht për sa u përket gjykatave dhe çështjeve tregtare. Ata nuk janë as të efektshëm. Atje mungon efektshmëria, thotë zoti Begoviç, për shkak se ata nuk japin llogari para askujt. Sipas disa sondazheve, thotë analisti, koha mesatare për përmbushjen e një kontrate në një rast tipik tregtar është më shumë se një mijë ditë.”

Zoti Begoviç thotë se ryshfetet paguhen shpesh për të përshpejtuar procesin gjyqësor të një rasti të caktuar.

Kritikat më të ashpra në raportin e Bashkimit Evropian i drejtohen Kosovës. Raporti identifikon krimin e organizuar dhe korrupsionin në shkallë të gjerë si probleme shumë shqetësuese. Në raport u bëhet thirrje autoriteteve të zgjedhura shqiptare të marrin masa për të siguruar që administrata publike dhe sistemi gjyqësor të jenë të lira nga kontrolli qeveritar.

Agjencia kundër korrupsionit, Transperancy International, e vlerëson gjendjen në gjithë rajonin perëndimor të Ballkanit si të zymtë. Indeksi i saj i fundit mbi korrupsionin radhit Shqipërinë, Maqedoninë, Serbinë e Malin e Zi, Bosnjë-Hercegovinën dhe Rumaninë si vendet më të korruptuara të Evropës, jashtë ish Bashkimit Sovjetik.

XS
SM
MD
LG