Lidhje

Raport i Departamentit të Shtetit mbi liritë fetare


Liritë fetare, tha Sekretarja amerikane e Shtetit Condoliza Rajs, janë një e drejtë kushtetuese për amerikanët. Po ashtu është e drejtë universale, e mëshiruar më se një herë në ligjin dhe deklaratat ndërkombëtare.

Raporti i fundit i Departamentit të Shtetit citon një numër vendesh ku është përmirësuar respektimi i lirisë fetare. Gjeorgjia është një nga këto vende ku ka patur një rënie të sulmeve mbi pakicat fetare dhe organizatorët e sulmeve janë gjykuar dhe dënuar.

Departamenti i Shtetit thotë se “kushtetuta gjeorgjiane njeh rolin e veçantë të Kishës Ortodokse Gjeorgjiane në historinë e vendit por gjithashtu njeh pavarësinë e Kishës nga Shteti”. Legjislacioni i ri lejon grupet fetare ortodokse jo-gjeorgjiane të regjistrohen. Si rezultat grupe të tilla mund të marrin me qera banesa dhe nuk përballen më me gjoba.

Në disa vende si Turkmenistani, gjendja e lirisë fetare është e paqëndrueshme siç shprehet John Hanford ambasadori amerikan për liritë fetare në botë. “Në Turkmenistan ku vazhdojnë shkeljet serioze të lirisë fetare, kemi parë shenja premtuese për shembull me lehtësimin e procedurave dhe regjistrimin e një numri të grupeve të reja fetare. Vitin e kaluar, qeveria ndryshoi ndjeshëm ligjet që rregullojnë aktivitetet fetare. Ata hoqën akuzat ndaj shkelësve të politikave fetare dhe liruan të gjithë të burgosurit politikë. Kohët e fundit qeveria organizoi bisedën e parë të këtij lloji me përfaqësues të pakicave fetare për të dëgjuar shqetësimet e tyre”.

Por ka vende të tjera ku abuzimi vazhdon. Një vend i tillë shtypës është Uzbekistani ku ligji për fenë përdoret kundër si myslimanëve dhe të krishterëve. Në mijëra raste, qeveria uzbeke ka ngritur akuza fallco se besimtarë myslimanë janë anëtarë të organizatave ektremiste dhe si rezultat shumë besimtarë jo-ekstremistë myslimanë jetojnë me frikën se thjesht aktivitetet e tyre fetare mund të provokojnë dyshime apo edhe arrestime. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë t’i ushtrojnë trysni qeverisë uzbeke për të rishikuar ligjet e saj dhe për të lejuar më shumë liri fetare.

Objektivi ynë tha sekretarja e shtetit Rice, është të nxisë të drejtën themelore për lirinë fetare si pjesë e asaj që presidenti Bush e ka quajtur “plani i punës për një botë më të lirë, ku njerëzit mund të jetojnë dhe të besojnë, e të rrisin fëmijët e tyre ashtu siç duan”.

XS
SM
MD
LG