Lidhje

Shtetet e Bashkuara bëjnë thirrje për bashkimin e Bosnjës, 10 vjet pas Marrëveshjes së Dejtonit


Nënsekretari amerikan i shtetit Nikolas Bërns i nxiti udhëheqësit e Bosnjes që të bien dakord për reforma kushtetuese, për të cilat ai thotë se do të ndihmojnë për bashkimin e këtij vendi ende të ndarë. Zoti Bërns foli dje në një konferencë në Uashington me rastin e 10 vjetorit të marrëveshjeve të paqes që i dhanë fund luftës së Bosnjes.

Dhjetë vjet më parë, palët e luftës së përgjakshme të Bosnjës u mblodhën në Dejton të Ohajos, për të finalizuar një marrëveshje paqeje që e përcaktonte Bosnje-Hercegovinën si një bashkim dy entitetesh: Federatës Myslimano-Kroate dhe Republikës të Serbëve të Bosnjes.

Nënsekretari amerikan i shtetit Nikolas Bërns thotë se marrëveshja ishte e nevojshme për të ndalur luftën. Por ai tha se në të njëjtën kohë ajo çimentoi një ndarje, që tani e bën të vështirë bashkimin e e Bosnje-Hercegovinës.

“Dejtoni krijoi një shtet me ndarje të brendshme, mure të brendshme Berlini, që ndajnë një komunitet nga tjetri, sepse ai ishte mënyra e vetme për të ndalur luftën dhe për të arritur një paqe të brishtë. 10 vjet më pas, këto mure të brendshme duhet të eliminohen. Popullsia e këtij vendi: kroatët, serbët dhe myslimanët duhet të lejohen që të jetojnë së bashku”.

Nënsekretari Burns u kërkoi udhëheqësve boshnjakë që të pranojnë të realizojnë reforma kushtetuese në takimin që do të kenë sot me Sekretaren e Shtetit Condoleezza Rice.

Zyrtari amerikan tha se parashikonte një të ardhme të zymtë për Bosnje-Hercegovinën, nëse udhëheqësit nuk bien dakord për reformat kushtetuese.

“Do të thotë se nuk do të ketë shpresa për vendin, nuk do të ketë perspektivë për anëtarësim në Bashkimin Evropian, apo në NATO, apo për të vendosur sigurinë që nuk e keni patur që kur u shpërbë Jugosllavia. Bosnja nuk mund të mendojë se do të bëhet pjesë e një Evrope të bashkuara, apo e NATO-s, nëse vazhdon të mbetet një shtet i ndarë”.

Bashkimi Evropian thotë se ka në plan që të fillojë bisedimet me Bosnje-Hercegovinën të premten për një marrëveshje për ta çuar vendin më pranë anëtarësimit.

Zoti Burns theksoi se një marrëveshje për reformat kushtetuese në këtë moment, do të ishte dëshmi e qëllimit për të ecur në këtë rrugë, por procesi në vetvete do të kërkonte negociata të vështira.

“Do të ketë përplasje dhe argumentime të shumta për muaj të tërë. Ne u kërkojmë udhëheqësve boshnjakë që të angazhohen për një shtet të bashkuar. Të deklarojnë se ky është synimi i tyre i përbashkët dhe që do të negociojnë hollësitë për realizimin e këtij synimi në muajt e ardhshëm. Kjo është ajo që kërkojmë ne”.

Kryetari i radhës i presidencës kolektive të Bosnjës, Ivo Miro Jovic la të kuptohej se është në favor të reformave kushtetuese. Por ai shtoi se Bosnja-Hercegovina ka nevojë për inkurajim të vazhdueshëm nga komuniteti ndërkombëtar.

“Për të krijuar një shtet demokratik dhe funksional, ne u kërkojmë amerikanëve dhe evropianëve që t’i mbështesin fuqimisht ndryshimet kushtetuese që do ta bëjnë Bosnje-Hercegovinën një shtet demokratik dhe laik në të njëjtën kohë. Popujt dhe qytetarët do të kenë kushte normale dhe të barabarta për arsimin dhe punën”.

Ndërkohë nënsekretari Bërns e vuri theksin tek ajo që ai e quajti “trashëgimia më negative e dekadës së kaluar, faktin që kriminelët e luftës janë ende të lirë”. Ai tha se Uashingtoni beson se qeveria e serbëve të Bosnjës dhe qeveria e Serbisë dhe Malit të Zi në Beograd kanë përgjegjësinë të arrestojnë ish-udhëheqësin serb të Bosnjës Radovan Karaxhiç dhe komandantin e tij ushtarak Ratko Mladiç. Që të dy ata janë të akuzuar nga gjykata e Hagës për krime lufte.

“Shtetet e Bashkuara nuk bëjnë kompromis për çështjen e kriminelëve të luftës. Ne nuk do të mbështesim përpjekjet e Bosnje-Hercegovinës, ose Serbisë dhe Malit të Zi për futjen në programin e Partneritetit për Paqen, derisa ky problem të zgjidhet”.

Përveç takimit me udhëheqësit boshnjakë në Departamentin e Shtetit, sot Sekretarja Rajs ka organizuar një drekë për të shënuar 10 vjetorin e Marrëveshjes së Paqes së Dejtonit. Ajo dhe kryetari i radhës Joviç do të marrin pjesë në një ceremoni për nder të tre diplomatëve amerikanë të vrarë në Bosnjë në vitin 1995.

XS
SM
MD
LG