Lidhje

Nënpresidenti Cheney mbron me forcë qëndrimin e administratës ndaj Irakut


Nënpresidenti Dick Cheney mbrojti me forcë qëndrimin e administratës së Presidentit Bush ndaj Irakut dhe kritikoi me forcë kritikët që thonë se informacionet e zbulimit u shtrembëruan ndërsa po paraqiteshin argumentat përse duhej rrëzuar Sadam Huseini. Zoti Cheney i bëri këto komente gjatë një fjalimi në Uashington.

Zoti Cheney, tha se Iraku është fronti kryesor në luftën kundër terrorizmit. Nënpresidenti i cilësoi si “të pasinqerta dhe të dënueshme”, zërat se Presidenti Bush ose anëtarë të tjerë të administratës së tij, e keqinformuan qëllimisht publikun amerikan para luftës.

“Të metat e zbulimit duken të qarta tani, por çdo spekullim që informacionet e paraluftës u shtrembëruan, zmadhuan ose fabrikuan nga uydhëheqësi i vendit janë tërësisht fallso”.

Disa kritikë të administratës në Kongres thonë se prania ushtarake në Irak ka bërë që të shtohet terrorizmi dhe ka krijuar më shumë paqëndrueshmëri në Lindjen e Mesme.

Zoti Cheney i kundërshtoi me forcë këto argumente, duke theksuar se vendimi për të ndërhyrë në Irak, u mor në bazë të informacionit më të mirë të mundshëm të zbulimit, që ishte mbledhur gjatë viteve.

“Ushtarët amerikanë në Irak ndeshen për ditë me situata të rrezikshme, të paparashikueshme. Ndërsa këtu në Amerikë, disa politikanë spekullojnë se këta amerikanë trima u dërguan në luftë bazuar në një fallsitet të qëllimshëm. Ky është një revizionizëm i formës më të korruptuar dhe të paturpshme.”

Shkas për debatin e ditëve të fundit për luftën, u bënë komentet e ligjvenësit John Murtha, një veteran i dekoruar i Luftës së Vietnamit, i respektuar për mbështetjen e fortë të forcave të armatosura, tha se ka ardhur koha që trupat amerikane të tërhiqen nga Iraku. Kjo ngjalli një kundërpërgjigje të fuqishme nga administrata.

Nënpresidenti Dick Cheney e quajti zotin Murtha një njeri të mirë e patriot, por theksoi se çdo tërheqje e parakohshme do të dërgonte mesazhin e gabuar tek armiqtë e Amerikës.

“Është një iluzion i rrezikshëm të mendosh se një tërheqje tjetër nga bota e civilizuar do të kënaqte oreksin e terroristëve dhe do t’i bënte ata të na linin të qetë. Në fakt, një tërheqje e tillë do t’i bindte terroristët që një vend i lirë mund të ndryshojë politikat, mund të braktisë miqtë dhe interesat, sa herë që ballafaqohet me vrasje dhe shantazhe.”

Zoti Cheney tha se nuk mendon se është gabim të kritikosh luftën ndaj terrorizmit, duke shtuar se debati energjik mbi çështjet me të cilat ndeshet vendi është një shenjë e një sistemi të shëndoshë politik.

XS
SM
MD
LG