Lidhje

Siria dakord që OKB-ja të marrë në pyetje zyrtarë sirianë për vrasjen e Haririt


Siria ra dakord të lejojë hetuesit e Kombeve të Bashkuara të marrin në pyetje pesë zyrtarë sirianë lidhur me vrasjen e ish-kryeministrit libanez Rafik Hariri.

Zëvendësministri i Jashtëm Valid Moallem tha dje se Damasku ka pranuar të lejojë sirianët të merren në pyetje në selinë e organizatës në Vjenë, pasi iu dhanë garanci për të drejtat e individëve në fjalë dhe se sovraniteti i saj do të respektohej.

Ky kompromis i jep fund situatës së bllokuar me OKB-në, e cila fillimisht kishte kërkuar që sirianët të merreshin në pyetje në Bejrut.

Ambasadori amerikan në Kombet e Bashkuara, John Bolton, tha se vendimi i Sirisë ishte rezultat i drejtpërdrejtë i vendimit të njëzëshëm të Këshillit të Sigurimit, i cili i kërkonte Damaskut të bashkëpunonte me hetimin e OKB-së.

Në një raport paraprak të publikuar muajin e kaluar, komisioni i OKB-së që hetonte për vrasjen e zotit Hariri, implikonte shërbimet siriane dhe libaneze të zbulimit në atentatin ndaj tij, duke u bërë shkak për protesta të mëdha në Liban.

XS
SM
MD
LG