Lidhje

10 vjet pas përfundimit të luftës në Bosnje


10 vjet pas përfundimit të luftës në Bosnje, udhëheqësit e grupeve kryesore të këtij vendi u zotuan të reformojnë kushtetutën. Udhëheqësit politikë, që përfaqësojnë fraksionet sërbe, kroate dhe myslimane thanë se janë të angazhuar të zbatojnë reforma fillestare deri në mars të vitit 2006, duke përfshirë edhe eliminimin e një sistemi të papërshtatshëm me 3 presidentë.

Udhëheqësit e sërbëve të Bosnjes u bënë gjithashtu thirrje ish udhëheqësit të sërbëve të Bosnjes, Radovan Karaxhiç, dhe gjeneralit Ratko Mlladiç që të dorëzohen vullnetarisht me menjëherë për të dalë para Gjykatës Ndërkombëtare të Krimeve të Luftës në Hagë. Zoti Karaxhiç dhe gjenerali Mlladiç kërkohen nga Gjykata e Hagës për rolet e tyre në masakrimin e mijëra burrave dhe djemve muslimanë në Srebrenicë të Bosnjes në korrik të vitit 1995.

Zhvillimet më të fundit tregojnë se sa shumë ka ndryshuar gjendja në Bosnje që prej nënshkrimit të një marrëveshje për paqe në qytetin amerikan të Daytonit në shtetin Ohajo. Marrëveshjet e Daytonit i dhanë fund luftës në Bosnje mes muslimanëve, kroatëve dhe sërbëve, e cila shkaktoi disa qindra mijëra të vdekur.

Ish ambasadori amerikan në Kombet e Bashkuara, Richard Holbrooke, luajti një rol kyç në negocimin e marrëveshjeve të Daytonit. Kohët e fundit ai u tha anëtarëve të kongresit amerikane se nënshkrimi i marrëveshjeve të Daytonit dhe ndërhyrja e Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të tyre për të mbrojtur muslimanët në Kosovë parandaluan terroristët e Al-Kaidës që të krijonin baza në Ballkan. “Nëse nuk do të kishim vepruar në Dayton para 10 vjetësh, në se nuk do të kishim arritur ato marrëveshje, në të cilat i dhamë vetes të drejtën e njëanshme që të përdorim forcën për të çrrënjosur elementët e huaj, ndërkohë që në Dayton ne nuk e kishim dëgjuar emrin e Al-Kaidës, tani ne e dimë se marrëveshjet e Daytonit dhe ndërhyrja në Kosovë ndaluan Osama Bin Ladenin dhe Al-Kaidën që të ndërtonin në Ballkan atë që ndërtuan në Afganistan, shumë më afër nesh, shumë më afër qendrës së Evropës Perëndimore. Ne ishim shumë afër një lufte si ajo që po luftojmë në Afganistan në luginat dhe kodrat e thella e në shpellat e Ballkanit.”

Sot, 10 vjet pas nënshkrimit të marrëveshjeve të Daytonit, Bosnja po lë pas trashëgiminë e luftës dhe ka filluar rrugën drejt bashkimit kombëtar dhe integrimit me Evropën.

XS
SM
MD
LG