Lidhje

Kosova mirëpret lirimin nga Haga të dy ish pjesëtarëve të UÇK-së


Gjykata Ndërkombëtare për Krime lufte në Hagë shpalli sot të pafajshëm ish pjesëtarët e ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Fatmir Limaj dhe Isak Musliu, ndërsa dënoi me 13 vjet heqje lirie Haradin Balajn. Sipas Gjykatës, dy të parët janë tërësisht të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës dhe ata do të lirohen menjëherë pas përfundimit të formaliteteve.

Ndërkaq Haradin Balaj, i akuzuari i tretë është shpallur fajtor për torturë, trajtim mizor të burgosurve, vrasje dhe shkelje të ligjeve ose zakoneve të luftës.

Rrugët e Prishtinës janë vërshuar nga qytetarë që po festojnë lirimin e Fatmir Limajt e Isak Musliut dhe për të shprehur solidaritetin me Haradin Balajn, i dënuar me 13 vjet heqje lirie. Të tre pjesëtarët e ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, janë akuzuar në shkurt të vitit 2003 për përfshirje në krime civilëve shqiptarë dhe serbë gjatë luftës së vitit 1998.

Akuza kundër tyre kishte nxitur reagime të ashpra në Kosovë ku janë hedhur poshtë të gjitha mundësitë që pjesëtarët e ish Ushtrisë Çlirimtare të kenë përfshirë në veprime që bien ndesh me ligjet dhe zakonet e luftës. Gjykimi i cili përfundoi sot ishte i pari kundër pjesëtarëve të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ai është pritur me interesim të jashtëzakonshëm në Kosovë.

Dy ditë më parë dhjetëra mijëra njerëz protestuan rrugëve të Prishtinë në mbështetje të të akuzuarve, duke bërë thirrje për drejtësi. Në reagimet e para në Kosovë është përshëndetur vendimi i Gjykatës së Hagës për lirimin e Fatmir Limajt dhe Isak Musliut dhe është shfaqur shpresa për lirimin sa më të shpejtë edhe të Haradin Balajt.

Presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova “mirëpriti aktgjykimin e sotëm të Gjykatës Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë në Hagë, e cila shpalli të pafajshëm luftëtarin e UÇK-së dhe politikanin e njohur të pasluftës, z. Fatmir Limajn, si dhe pafajësinë e luftëtarit tjetër, Isak Musliut”.

Presidenti Rugova shpreh besimin se vendimi i sotëm nuk i shteron mundësitë ligjore të Haradin Balajt në betejën e tij ligjore për t’u mbrojtur nga akuzat për krime të luftës. “Gjykimi i sotëm vërteton drejtësinë e luftës çlirimtare të shqiptarëve të Kosovës kundër okupimit serb, drejtësinë e luftës për liri dhe pavarësi të vendit tonë, si dhe besueshmërinë në drejtësinë ndërkombëtare dhe në Gjykatën e Hagës”, thuhet në reagimin e presidentit të Kosovës Ibrahim Rugova.

Kryeministri i Kosovës, Bajrami Kosumi përshëndeti shpalljen të pafajshëm dhe lirimin nga paraburgimi të Fatmir Limajt dhe Isak Musliut. “Kjo është edhe një dëshmi se Fatmiri dhe bashkëluftëtarët e tij kanë pasur vetëm një qëllim në jetë: luftën për lirinë e Kosovës”, tha ai. Kryeministri Bajram Kosumi shpreh besimin se edhe disa përfundime të tjera që ka sjellë Gjykata e Hagës në lidhje me luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk janë të dëshmuara plotësisht. Ai vlerëson se UÇK ka bërë luftë të drejtë, të pastër, mbrojtëse dhe luftë për liri dhe ai beson se në të ardhmen do të dëshmohet edhe në Gjykatën e Hagës kjo drejtësi e luftës së UÇK. “Lufta për liri nuk mund të barazohet me krime dhe kjo luftë e Ushtrisë Çlirimtare e Kosovës dhe popullit të Kosovës është dëshmuar të ketë qenë luftë çlirimtare për një Kosovë demokratike, të pavarur e të lirë për të gjithë qytetarët e saj”, përfundon kryeministri Kosumi.

Ndërkaq në reagimin e Partisë Demokratike të Kosovës thuhet se kjo parti si edhe gjithë populli i Kosovës ka besuar gjithmonë dhe thellësisht në pafajësinë e z.Limaj me shokë, dhe me këtë rast fitoi drejtësia për gjithë popullin e Kosovës dhe luftën e saj çlirimtare. “Jemi thellësisht të bindur dhe besojmë fuqishëm edhe në pafajësinë e zotit Haradin Balaj”, thuhet në reagimin e Partisë Demokratike e cila vlerëson se “më në fund fitoi drejtësia ndërkombëtare, ndaj së cilës kurrë nuk e kemi humbur besimin tonë ndaj saj, ashti siç e kishte respektuar atë edhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës. PDK-ja si edhe gjithë populli i Kosovës beson thellësisht se Vendimi i Gjykatës së Hagës për lirimin e Fatmirit dhe Isak Musliut do të jetë një shembull në shërbim të drejtësisë edhe ndaj të burgosurve të tjerë të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të burgosurve në Kosovë. Më këtë rast urojmë gjithë popullin e Kosovës për këtë fitore të drejtësisë ndërkombëtare e cila është edhe në shërbim të lirisë, të pavarësisë, të demokracisë dhe të prosperitetit të Kosovës”, thuhet ne reagimin e Partisë Demokratike të Kosovën të nënshkruar nga kryetari i saj Hashim Thaçi.

Vendimi i sotëm u Gjykatës së Hagës është përshëndetur edhe nga partitë e tjera politike të cilat e kanë cilësuar atë si një ngjarje të rëndësishme politike për Kosovën. Të pakënaqur janë shprehur përfaqësuesit politik të serbëve të Kosovës, një nga udhëheqësit e të cilëve Oliver Ivanoviç, ka theksuar se vendim i sotëm është porosi e keqe për serbët e këtushëm

Ndërkohë zëvendësshefi i Misionit të Kombeve të Bashkuara Larry Rossin dhe komandanti i KFOR-it, gjenerali Giuseppe Valotto, nëpërmjet një deklarate të përbashkët, kanë shprehur bindjen e tyre se populli i Kosovës do të dijë ta kalojë me dinjitet situatën e krijuar pas shpalljes së vendimit për lirimin e Fatmir Limajt.

XS
SM
MD
LG