Lidhje

Politika gjermane pas zgjedhjes së kancelares së re Angela Merkel


Parlamenti gjerman zgjodhi javën e kaluar Angela Merkelin si kancelaren e re të vendit. Materiali në vazhdim i hedh një vështrim më të hollësishëm gruas së parë që drejton qeverinë gjermane që pas Luftës së Dytë Botërore dhe ndikimit që do të ketë udhëheqja e saj në Evropë dhe më tej.

Angela Merkel, e partisë konservatore të Kristian Demokratëve mori pushtetin më 22 nëntor, pasi parlamenti e zgjodhi atë si kancelare. Kjo ndodhi pas dy muaj grindjesh politike midis kristian-demokratëve dhe partisë rivale social-demokrate pas zgjedhjeve të shtatorit në të cilat asnjë nga kandidatët e partive për kancelar nuk fituan shumicën e votave. Më në fund u arrit një marrëveshje e rallë për ndarjen e pushtetit midis dy partive dhe zonja Merkel u zgjodh kancelare. Por gjysma e kabinetit të saj janë anëtarë të opozitës socialdemokrate. A do të shënojë ndonjë arritje qeveria e koalicionit?

Drejtori Ekzekutiv i Institutit Amerikan për Studimet Bashkëkohore Gjermane, Jackson Janes, shpreh rezerva në se vetë koalicioni do të arrijë të mbijetojë për më shumë se 4 vjet: “Gjatë katër vjetëve të ardhshme koalicionit do t’i duhet të zgjedhë çështjet për të cilat anëtarët mund të bien dakort dhe këto mund të mos jenë të shumta por në se ka nga ato që ja vlejnë atëherë ata mund të arrijnë diçka.”

Stephen Szabo i fakultetit për studime të avancuara ndërkombëtare në Universitetin Johns Hopkins në Washington, thotë se koalicioni do t’i detyrojë partitë të negociojnë për të arritur atë që duan, që nënkupton se zonja Merkel nuk do të të jetë një udhëheqëse efektive ashtu siç dëshiron të jetë. “Nga ana tjetër ajo është kancelare, e para grua në këtë post dhe e para nga Gjermania Lindore. Ajo do të fitojë shumë nga kjo pozitë dhe mendoj se do të jetë e plotfuqishme pas gjashtë muajve apo në fund të vitit të ardhshëm.”

“Ajo ka mundësinë të zgjidhë divergjenca sepse është e veçantë, është e re dhe për arsyen se është në syrin e të gjithëve që presin shumë prej saj. Ajo nuk është një politikane që ndyshon qëndrim dhe kjo është arsyeja që njerëzit mund t’i japin asaj më shumë kohë dhe hapësirë vlerësimi se sa do t’u jepnin të tjerëve.” Doktor Szabo thotë se përvoja e kancelares Merkel do të reflektojë mendimet e saj ndaj veprimeve të ndërmarra nga paraardhësi ---Gerhard Shrëder. “Ajo mendon se Shrëderi bëri një gabim të madh duke formuar një aleancë me Francën dhe Rusinë kundër të ashtuquajturës Evropa e re, kundër Polonisë dhe vendeve të tjera që mbështetën administratën e presidentit Bush gjatë luftës. Dhe duke u nisur nga kjo pikëpamje ajo kërkon të distancohet nga lidhje e ngushtë me Moskën dhe Parisin dhe të jetë më e ndjeshme ndaj shqetësimeve të vendeve më të vogla, jo vetëm vendeve të reja, por edhe atyre si Belgjika dhe Hollanda.”

Jackson Janes thotë se jeta nën qeverisjen shtypëse të Gjermanisë Lindore i ka dhënë zonjës Merkel ndjenjën e fortë të domethënies së lirisë. “Mendoj se ajo vjen në këtë post me një perspektivë që është gjithashtue e veçantë në drejtim të Rusisë, Ukrainës, vendeve të Evropës Lindore, drejt vendeve që kërkojnë forma të reja qeverisjeje. Mendoj se ajo do të arrijë t’i kuptojë përpjekjet e këtyre vendeve, duke i lidhur ato me përvojën e saj personale.”

Dr. Janes thotë gjithashtu se kancelarja Merkel kërkon të riparojë marrëdhëniet e Gjermanisë me Shtetet e Bashkuara, të cilat u dëmtuan pas mosmarrëveshjeve mbi luftën në Irak. Ka të dhëna se ajo po përpiqet qysh tani tja arrijë këtij qëllimi. Vetëm një javë pas ardhjes në pushtet, Ministri i Jashtëm Gjerman, Frank Walter Steinmeier ishte dje në Uashington, ku u takua me sekretaren e shtetit Kondoliza Rajs.

XS
SM
MD
LG