Lidhje

Departamenti i Shtetit: Nuk ekziston ndonjë plan amerikan për partnerët evropianë mbi Kosovën


Një zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit i tha Zërit të Amerikës se nuk ekziston ndonjë plan amerikan që t'u jetë paraqitur partnerëve evropianë lidhur me çështjet në të cilat duhen mbështetur bisedimet e ardhëshme mbi statusin e Kosovës.

Zyrtari i referohej një njoftimi të mediave në Ballkan, sipas të cilave Shtetet e Bashkuara u kanë paraqitur qeverive të Bashkimit Evropian dhe të NATO-s një plan prej 13 pikash. Zyrtari tha se pavarësisht nëse fjala është për 13 pika ose diçka tjetër, ajo që kanë bërë Shtetet e Bashkuara është se kanë biseduar me partnerët e tyre në Grupin e Kontaktit dhe janë përpjekur të vendosin së bashku me ta se cilat janë çështjet që duhen identifikuar dhe që duhen zgjidhur. Por Shtetet e Bashkuara, tha zyrtari, nuk kanë paraqitur ndonjë plan se cili duhet të jetë statusi përfundimtar.

Në fakt, tha zyrtari i Departamentit të Shtetit, fjala është për çështjet që kanë shtruar Shtetet e Bashkuara dhe që duhen zgjidhur gjatë procesit të bisedimeve. Ndërkohë, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit i tha Zërit të Amerikës se Shtetet e Bashkuara e kanë bërë të qartë se statusi përfundimtar i Kosovës duhet të jetë i tillë që të çojë përpara qendrueshmërinë rajonale, të nxisë zhvillimin demokratik dhe të ndihmojë për integrimin euro-atlantik të Ballkanit.

XS
SM
MD
LG