Lidhje

Liban: Qeveria kërkon zgjatjen e mandatit të OKB-së për hetimin e vrasjes së ish-kryeministrit Hariri


Qeveria libaneze thotë se do të kërkojë zgjatjen me 6 muaj të mandatit të OKB-së për të hetuar vrasjen e ish kryeministrit libanez, Refik Hariri.

Ky zhvillim ndodh ndërkohë që njoftohet se kryehetuesi Detlev Mehlis u ka thënë zyrtarëve të OKB-së se ka në plan të largohet nga komisioni hetues pas dorëzimit të raportit mbi përparimin e deritanishëm nga mesi i këtij muaji.

Një zëdhënëse e OKB-së tha se Sekretari i Përgjithshëm Kofin Anan po diskuton me hetuesin rreth mundësisë së zgjatjes së mandatit.

Javën tjetër, zoti Mehlis do të shkojë në Vjenë për të intervistuar 5 zyrtarë sirianë në lidhje me vrasjen e zotit Hariri.

Në një zhvillim tjetër, zoti Mehlis u tha mjeteve libaneze të informimit se nuk mendon që procesi i tij hetimor është dëmtuar nga dëshmitari Hosam Taher Hosam. Zoti Hosam e tërhoqi deponimin e tij këtë javë në televizionin sirian, duke thënë se ishte paguar nga djali i zotit Hariri për të dhënë dëshmi të rreme.

XS
SM
MD
LG