Lidhje

SHBA: Statistikat e punësimit pozitive; bien çmimet e gazit


Statistikat për punësimin të nxjerra dje nga Departamenti amerikan i Punës tregojnë se numri i vendeve të punës u rrit me 215 mijë në muajin nëntor. Gjithashtu këtë javë pati njoftime se çmimet e energjisë kanë rënë nga rekordet më të larta që arritën në muajt e mëparshëm.

Presidenti George Bush ishte i kënaqur me statistikat për punësimin dhe çmimet e gazit: "Falë punës së mundimshme tradicionale në Amerikë, prodhimit, risive dhe politikave ekonomike të qëndrueshme si shkurtimi i taksave dhe pakësimi i shpenzimeve, ekonomia jonë vazhdon të forcohet dhe të shënojë rekorde".

Por shtimi i vendeve të punës ka qënë relativisht i ulët. Sipas Institutit të Politikave Ekonomike, shtimi i vendeve të punës është në nivelin më të ulta në 5 dekada, por të meret si kriter fakti që ky është viti i 4 i rritjes ekonomike. Investitorët në tregun amerikan të aksioneve mbeten optimist – ai po arrin nivelet më të larta të viteve të fundit, pas sinjaleve se inflacioni po vihet nën kontroll.

Hugh Johnson është analist i bursës. "Tregu të tregon se gjerat po shkojnë mirë në ekonomi. Jo aq keq sa mendonim se do të ishin dy muaj më parë pasi pamë efektet e uraganit Katrina dhe Rita dhe pati rritje të ndjeshme në çmimet e energjisë dhe të karburantit".

Çmimet e gazit kanë rënë tani 30 përqind nga çmimi rekord 80 cent për litër, pas uraganit Katrina në muajin gusht. Megjithatë edhe me çmimin aktual 50 cent për litër, është përsëri më i lartë se një vit më parë. Por përsëri është lajm i mirë për konsumatorët amerikanë, thotë ekonomisti Mark Zandi."Është shumë e habitshme sa mirë i ka përballuar ekonomia këto goditje. Ajo po forcohet dhe kjo rritje është në të gjitha fushat".

Ka shenja të tjera të forcimit të papritur të ekonomisë amerikane, përfshi fitimet rekord të kompanive amerikane dhe besimi i konsumatorëve që vazhdon t’i kalojë parametrat e pritshëm.

Gjithashtu këtë javë pati njoftime se amerikanët vazhdojnë të blejnë shtëpi të reja me një ritëm gati rekord megjithë rritjen e interesave. "Në se konsumatorët dhe bizneset shpenzojnë me këto ritme deri në fund të 2005 dhe vazhdojnë në 2006-ën, kjo është ajo që i duhet ekonomisë".

Megjithatë jo të gjitha lajmet për ekonominë ishin të mira këtë javë. Drejtori i Rezervës Federale Alan Greenspan paralajmëroi të premten se protektonizmi dhe defiçiti i lartë buxhetor mund të kërcënojnë ndjeshëm ekonominë amerikane në një periudhë afatgjatë.

XS
SM
MD
LG