Lidhje

Poni: Shumë shpejt fonde shtesë për mëkëmbjen nga përmbytjet


Në Shqipëri, shirat e shumëpritur për shtimin e energjisë, shkaktojnë probleme të shumta duke përmbytur zona të tëra dhe bërë rrugët të pakalueshme. Përmbytjet e dy ditëve më parë në Jug të Shqipërisë kanë lënë pa strehë disa qindra banorë dhe kanë dëmtuar biznese , rrugë dhe ujësjellesa. Dëmet më të mëdha vlerësohen në zonat afër grykëderdhjes së lumit Vjosa midis Fierit dhe Vlorës. Zëri i Amerikës intervistoi zëvendës ministrin e brendëshëm për pushtetin vendor, zotin Ferdinad Poni.

Zëri i Amerikës: Zoti Poni, fillimisht sa është dëmi i shkaktuar në shkallë kombëtare nga reshjet e fundit dhe cilat janë zonat më problematike?

Ferdinand Poni: Zonat më problematike janë ato që ndodhen në ultësirën perendimore të Shqipërisë pranë lumenjve, Vjosë, Seman, Shkumbin dhe diku më sipër edhe në qarkun e Lezhës. Gjithashtu dëme të konsiderueshme në kuptim të prishjes së disa parametrave në investime, në rrugë apo në stacione elektrikë ka pësuar edhe rrethi i Gjirokastrës dhe në përgjithësi qarku i Gjirokastrës. Është e vështirë të japin dhe deklarojmë një shifër totale të dëmeve nga pikëpamja financiare,megjithëse kemi filluar të mbledhim dhe grumbullojmë të dhënat të sakta nga bashkitë dhe komunat që janë goditur nga përmbytjet nëpërmjet prefekturave. Rreth 5 mijë hektarë tokë është përmbytur, rreth 200 objekte banimi të dëmtuara mesatarisht nga këto rreth 30 ose 40 të dëmtuara rëndë. Ka edhe dëme të tjera, si mbytje bagëtish apo dhe materiale të tjera pasurore që janë ndodhur në zonat e përmbytura.

Zëri i Amerikës: Pra juve jeni ende duke përcaktuar dëmet e shkaktuara. Ndërkohë qeveria dje zhvilloi një mbledhje emergjente për situatën. Çfarë masash do të merrni për të përballuar gjendjen dhe ndihmuar familjet e dëmtuara?

Ferdinand Poni: Që ditën e parë që u evidentuan premisat për përmbytje, në datën 1, ne kemi patur një koordinim shumë të mirë me prefekturat e Gjirokastrës, Vlorës, Fierit, në Lushnje në mënyrë për të paraprirë dhe për të minimizuar sa të mundnim pikërisht këto situata emergjente. Në një farë mënyre, pjesa e parë e problemit, ajo e eleminimit të fatkeqësive në njerëz, mendoj se ka patur një sukses të madh. Megjithëse në Shqipëri këto përmbytje nuk ka ndodhur për rreth 20 vjet problemet janë mënjanuar. Megjithatë për asnjë çast nuk është zvogëluar vëmendja e qeverisë shqiptare dhe gjithë organizmave që po funksionojnë në terren lidhur me stabilizimin e gjendjes, me vlerësimin e dëmeve të shkaktuara, me ndihmën sidomos të familjeve në nevojë apo dhe me punime që të mos përsëriten më situata të tilla. Është e vërtetë ajo që thatë ju, kryeministri Berisha dje ka thirrur një pjesë të kabinetit të tij dhe aktorë të tjerë të përfshirë në proces dhe ka lënë porosi të caktuara,mjaft preçize lidhur me ndihmën e familjeve në nevojë, me marrjen e masave emergjente për stabilizimin e situatës, vlerësimin e dëmeve që janë shkaktuar e deri tek planet e sakta për evakuimin e popullësisë në rast të situatave të ngjashme.

Zëri i Amerikës: Zoti Poni, buxheti i qeversisë për vitin 2005-2006 u kritikua ndër të tjera edhe për mungesë fondesh për të përballuar situata si kjo e tanishmja. Dimri sapo ka filluar dhe ngjarje si këto mund të përsëriten. Si keni menduar ta zgjidhni nga ana buxhetore përballimin e ketyre situatave?

Ferdinand Poni: Që në ditët e para të punës së Ministrisë së Brendëshme e kemi patur në qendër të vëmendjes marrjen e masave për trajtimin e emergjencave. Ndërsa përsa i përket buxhetit, sapo ka shkuar në qeveri një projekt-vendim që do të mund të akordojë 100 milion lekë për blerjen e mallrave ushqimore apo dhe pajisjeve të tjera për ti qënë sa më afër popullësisë që mund të preket nga situata të jashtëzakonshme, pa parashikuar këtë situatë për të cilën po flasim. Sipas legjislacionit shqiptar dhe situatës në përgjithësi, për situata të tilla kalohen në qeveri vendime të tilla për mbështetje financiare pas dëmeve të llogaritura nga situata të tilla. Ne do të zbatojmë me shpejtësi këtë procedurë të tillë për tu ndodhur sa më pranë atyre që janë dëmtuar nga këto fatkeqësi.

Zëri i Amerikës: Pra a ka fonde shtesë për këtë situatë të krijuar?

Ferdinand Poni: Besoj se shumë shpejt të gjithë do ta shohin se fondet shtesë do të vihen në dispozicion dhe në përputhje me dëmet që janë pësuar dhe duke përmirësuar të gjitha standartet që lidhen me jetën e qytetarëve dhe normalizimin e saj.

Zëri i Amerikës: Zoti Poni, përmbytje si këto ndodhin pothuajse çdo vit dhe duket se ato po bëhen gjithnjë e më të rrezikshme. Një pjesë e specialistëve fajësojnë shfrytëzimin pa kriter të shtretërve të lumenjve për materiale inerte për ndërtime. Sa shqetësues është ky problem sipas jush dhe a po mendon qeveria për një plan gjithpërfshirës, afat-gjatë, për përmirësimin e gjendjes?

Ferdinand Poni: Mendoj se qeveria ka identifikuar jo vetëm një nga këta faktorë që është siç thatë edhe ju shfrytëzimi pa kriter i shtretërve të lumenjve por dhe disa faktorë të tjerë, si mosfunksionimin e plotë të pritave të sipërme apo të kanaleve që presin ujrat e sipërme nëpër qytete, një sistem shumë efikas lajmërimi, dhe të tjera masa që do të duhen për të shmangur në përgjithësi fatkeqësitë që vijnë për shkak të situatave emergjente ose për tu përgjigjur në kundërveprim më të shpejtë të gjithë situatës. Une mendoj se kemi bërë një provë të mirë dhe të suksesshme përsa i përket fazës së parë. Do të duhet të vazhdojmë në këtë lloj angazhimi që të mund të rrisim edhe efikasitetin e shërbimeve, që ofrojmë.

Zëri i Amerikës: Parandalimi i përmbytjeve veçanërisht në Lezhë, ishte një nga premtimet e bëra gjatë fushatës zgjedhore të qershorit. A ka ndonjë masë konkrete për këtë premtim?

Ferdinand Poni: Po. Megjithëse në Lezhë kanë rënë pak më pak shira por jo aq më pak shira sa të mos kishte përmbytje, pra Lezha është më pak e goditur. Të gjitha hidrovoret e linjës perendimore pra ato që lidhen me thithjen e ujrave kanë funksionuar mirë qoftë edhe në këtë situatë emergjente. Në Lezhë ka filluar pastrimi i shtratit të Drinit që kalon aty dhe që sjell jo pak fatkeqësi dhe probleme. Janë identifikuar edhe një numër objektesh që janë ndërkuar pranë kolektorëve ose në pika nevralgjike që mund të pengojnë kalimin e shpejtë të ujrave për të mos qëndruar në sipërfaqe të gjera.

XS
SM
MD
LG