Lidhje

Ukraina një vit pas Revolucionit të Portokalltë


Ka kaluar një vit që kur Revolucioni i Portokalltë solli ndryshime demokratike në Ukrainë. “Revolucioni i vitit të kaluar, tha Presidenti Xhorxh Bush, ishte një shembull i fuqishëm i lirisë dhe demokracisë në veprim dhe një frymëzim për ata që aspirojnë për liri në vendet e tyre.”

Përparimit demokratik të Ukrainës i dhanë shtytje protestat dhe grevat mbarëkombëtare në përgjigje të akuzave për mashtrime në shkallë të gjerë gjatë raundit të dytë të zgjedhjeve presidenciale.

Ngjyra e portokalltë ishte simboli i fushatës së kandidatit kryesor të opozitës, Viktor Jushçenko. Ai, përkrahësit e tij dhe qindra mijëra qytetarë të thjeshtë ukrainas kundërshtuan rezultatet e zgjedhjeve, të cilat u anulluan dhe mbajtja e një ballotazhi tjetër u urdhërua nga Gjykata e Lartë e Ukrainës. Zoti Jushçenko fitoi dhe bëri betimin si president i vendit në muajin janar.

Revolucioni i Portokalltë ka sjellë respekt të madh për të drejtat bazë. Mjetet e informimit veprojnë më lirisht. Si rrjedhim, mbulimi nga mjetet e informimit të akuzave për korrupsion në Ukrainë është i gjerë.

Por me gjithë rritjen e vëzhgimit dhe të kontrollit, korrupsioni vazhdon të ketë rrënjë të thella në Ukrainë. Ai përfshin sektorin publik dhe atë privat dhe shkurajon investimet e huaja. Indeksi i Korrupsionit i publikuar nga grupi i pavarur vëzhgues Transparancy International e radhit Ukrainën nga fundi i listës së 159 vendeve të botës.

Pjesë e zgjidhjes së problemit, thotë Ndihmës-sekretari amerikan i Shtetit, Anthony Wayne, është të fillohet me publikimin e buxhetit dhe të të aredhurave qeveritare, publikimin e të ardhurave zyrtare dhe hetimin e hollësishëm si edhe ndjekjen penale të atyre që kryejnë shkelje.

Gjatë dymbëdhjetë muajve të fundit janë arritur disa rezultate pozitive. Për shembull: Indeksi i grupit Transparanci International tregon përmirësim nga viti 2004 në vitin 2005, duke lënë të kuptohet se besimi i publikut ndaj angazhimit të autoriteteve të reja të Ukrainës për të luftuar korrupsionin është forcuar.

Anëtarësimi në Organizatën Botërore të Tregtisë mbetet një ndër përparësitë kryesore të Ukrainës. Anëtarësimi do të ndihmonte në zgjerimin e tregjeve të vendit dhe do të inkurajonte investimet e huaja. Por, Ukraina ende nuk i ka përmbushur kushtet për anëtarësim në Organizatën Botërore të Tregtisë. Mes të tjerash, parlamenti i saj ende nuk ka miratuar disa ligje të domosdoshme për krijimin e kushteteve të tregut të lirë në Ukrainë.

Asnjë proces i kalimit nga komunizmi në demokraci nuk është i lehtë. “Por udhëheqja e Ukrainës, ka thënë Presidenti Bush, ka një rast historik si edhe përgjegjësinë historike për të përmbushur premtimin e Revoluciuonit të Portokalltë dhe të vazhdojë ta transformojë Ukrainën në një shtet të plotë demokratik.”

XS
SM
MD
LG