Lidhje

Zhvillohet në Uashington takimi i Ministrave të Mbrojtjes të Evropës Juglindore


Ministrat e Mbrojtjes të 10 vendeve të Evropës Juglindore dhe Sekretari amerikan i Mbrojtjes miratuan dje një plan për dërgimin e një brigade shumë-kombëshe në Afganistan për të ndihmuar në rindërtimin e këtij vendi. Vendimi u mor në takimin e 10 vjetorit të Konferencës Ministrore të Mbrojtjes të Vendeve të Evropës Juglindore që u zhvillua dje në Uashington. Ministrat në takim u njohën edhe me planet për riorganizimin e forcave të NATO-s në Kosovë, tani që Kosova po hyn në fazën e përcaktimit të statusit të saj përfundimtar.

Forcat ushtarake nga grupi i vendeve të Evropës Juglindore pritet të shkojnë në Afganistan në muajin shkurt, në kuadër të misionit të Natos në këtë vend. Kjo është hera e parë që ky grup vendesh dërgon forca përtej Evropës. Zyrtarët thanë se kjo është një nismë historike dhe lanë të kuptohet se shpresojnë që ky të jetë vetëm fillimi i një angazhimi më të madh të kësaj organizate rajonale në operacione paqeruajtëse në botë.

Konferenca Ministrore e Mbrojtjes e Vendeve të Evropës Juglindore u krijua para 10 vjetësh me nismën e Shteteve të Bashkuara për të nxitur sigurimin rajonal. Sot problemi kryesor në këtë rajon përsa i përket stabilitetit dhe sigurisë është ai i Kosovës. Në takimin e tyre ministrat e mbrojtjes u njohën edhe me planet e Natos për ristrukturimin e KFOR-it, tani që Kosova po hyn në fazën e zgjidhjes së statusit të saj. Synimi, tha Sekretari Rumsfeld, është që forcat e Natos në Kosovë të bëhen më të efektshme në kryerjen e misionit të tyre.

“Përsa i takon Kosovës, besoj se ka pikëpamje të ndryshme, por shumica janë dakort se është bërë përparim. Ndihmesa e komunitetit ndërkombëtar ka qënë konstruktive. Komandantët ushtarakë janë të mendimit se forcat duhen riorganizuar që të jenë më fleksibël, më të shpejta dhe më të efektshme.”

Ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë Fatmir Mediu, tha se qeveria e tij, po jep ndihmesën e saj për një zgjidhje që do të përfundojë në një Kosovë të pavarur, që respekton të drejtat e pakicave dhe që nuk ka synim të bashkohet ose të aneksojë territore të tjera të banuara nga shqiptarë.

“Qeveria shqiptare po mban një qëndrim aktiv në procesin e statusit përfundimtar të Kosovës. Angazhimi dhe qëndrimi i qeverisë së Shqipërisë është për një Kosovë të bazuar tek bashkëpunimi i shqiptarëve, serbëve dhe pakicave të tjera. Kjo është e një rëndësie jetike. Qeveria shqiptare e ka bërë të qartë se njeh kufijtë rajonalë, përfshirë ato të Kosovës dhe nuk ka ndonjë plan për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Ky është edhe qëndrimi i udhëheqësve shqiptarë në Kosovë. Ata nuk kërkojnë bashkim me territore të tjera shqiptare. Ajo që kërkojnë ata është pavarësia. ”

Në këtë nismë në fushën e mbrojtjes të Evropës Juglindore veç vendeve ish komuniste, si Shqipëria, Bullgaria, Kroacia, Maqedonia, Rumania dhe Sllovenia, bëjnë pjesë edhe Italia, Greqia, Turqia dhe Shtetet e Bashkuara.

Dje grupi u zgjerua edhe me një anëtar të ri, Ukrainën. Njoftimin e bëri kryetari i grupit, ish-zëvendësministri i mbrojtes i Shqipërisë Besnik Baraj.

“Si kryetari i Konferencës Ministrore i uroj zyrtarisht mirëseardhjen Ukrainës në organizatë.”

Takimi i Uashingtonit përkoi edhe me nënshkrimin në Bukuresht nga Sekretarja e Shtetit Condoliza Rajs, të një marrëveshjeje bashkëpunimi ushtarak dy palësh midis Shteteve të Bashkuara dhe Rumanisë, për krijimin e një baze ushtarake amerikane në këtë vend. Sekretari Rumsfeld tha se koncepti i kësaj baze, është i ndryshëm dhe nuk duhet krahasuar me bazat e mëdha ushtarake që ka ngritur Amerika gjatë dekadave të fundit në Gjermani, Itali, Japoni apo Korenë e Jugut. Sot, tha zoti Rumsfeld, Shtetet e Bashkuara synojnë të arrijnë marrëveshje për shfrytëzim bazash në vende të tjera, për ndoshta vendosjen e një numri të vogël trupash amerikane atje përherë dhe për të patur të drejtë për të lëvizur forca të tjera sipas nevojave.

“Ne synojmë të kemi të drejtë përdorimi të një numër bazash në vende të tjera, që t’i shfrytëzojmë ato në përputhje me interesat e sovranitetit të këtyre vendeve si dhe me interesat tona.”

Në përfundim të takimit të djeshëm u ra dakort që konferenca e ardhshme e ministrave të mbrojtjes të zhvillohet vitin e ardhshëm në Shqipëri.

XS
SM
MD
LG