Lidhje

Demokratët në Kongres vazhdojnë kritikat ndaj politikës së Presidentit Bush në Irak


Anëtarët demokratë të Kongresit amerikan vazhdojnë kritikat ndaj politikës së Presidentit Bush në Irak, ndërkohë që ligjvënësit republikanë vlerësojnë lart fjalimin e djeshëm të presidentit, duke thënë se ai dha hollësi të mëtejshme konkrete rreth strategjisë për sukses.

Në fjalimin e tij, presidenti përsëriti kundërshtimin ndaj caktimit të një afati për tërheqjen e forcave amerikane dhe theksoi përparimin që është bërë në dy qytete irakiane.

Senatori demokrat, Jack Reed, thotë se Presidenti Bush humbi edhe një rast tjetër për t’u treguar i sinqertë me amerikanët rreth përparimit në Irak:

“Presidenti Bush flet rreth stadiumeve të futbollit dhe teksteve shklollore. Ato janë suksese, por shumë të vogla. Infrastruktura e rrënuar për të cilën ai flet, është një projekt shumë i madh. Sa kohë, sa para dhe personel do të nevojiten për të riparuar dhe për të zëvendësuar të gjitha ato projekte në Irak”, pyet Senatori Reed.

Ndaj fjalimit të presidentit reagoi edhe deputeti John Murtha, i cili bëri thirrje muajin e kaluar për tërheqjen e forcave amerikane nga Iraku brenda gjashtë muajve, dhe për krjimin e një force amerikane të reagimit të shpejtë në rajon.

Zoti Murtha e përsëriti pikëpamjen e tij se Shtetet e Bashkuara nuk mund të shpresojnë të fitojnë ushtarakisht në Irak. Ai iu përgjigj edhe komenteve të bëre të martën nga senatori demokrat, Joseph Lieberman, i cili paralajmëroi disa që kritikojnë Presidentin Bush kundër minimit të besueshmërisë së tij:

“Minimin e besueshmërisë së tij! tha zoti Murtha si me habi. Çfarë ka thënë ai që t’i japë atij besueshmëri? Ai ka tha se ekzistonte një lidhje midis al-Kaidës dhe Irakut, ai tha se në Irak kishte armë biologjike dhe kimike. Ai tha se tani është bërë përparim, por mund t’ju them se ju nuk mund të shihni përparimin që sheh ai.”

Anëtarët demokratë të Dhomës së Përfaqësuesve i dhanë dje fund një takimi mbi politikën, ku u përpoqën të minimizonin rëndësinë e ndonjë divergjence të madhe që ata kanë rreth Irakut.

Duke përsëritur mbështetjen e saj për qendrimin e deputetit Murtha, udhëheqësja e pakicës demokrate në Dhomën e Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, akuzoi Presidentin Bush se kishte mashtruar popullin amerikan rreth përparimit në Irak:

“Kur ai thotë vetëm se gjërat po përmirësohen në Irak, kjo nuk do të thotë se është ashtu. Nëse janë masat ekonomike në Irak, papunësia, prodhimi i naftës apo se çfarë po ndodh me elektricitetin në atë vend, atje nuk po bëhet përparim, ne nuk po arrijmë sukses.”

Ligjvënësi Harold Ford thotë se demokratët nuk kanë frikë të shikohen si anëtarë të një partie që kanë pikëpamje të ndryshme dhe minimizon rëndësinë e divergjencave rreth strategjisë:

“Mosmarrëveshjet midis nesh nuk janë aq të thella sa mendohet. Mendoj se shumica e njerëzve në këtë dhomë kërkojnë të bëjnë ç’është e mundur për të sjellë trupat në atdhe sa më shpejt që të jetë e mundur dhe pyetja që kemi tani është sesi ta bëjmë këtë gjë?

Republikanët thonë se Presidenti Bush kishte plotësisht të drejtë në pikat që shtroi kur foli rreth përparimit të pagabueshëm në Irak.

Ata vazhdojnë të kritikojnë jo vetëm zonjën Pelosi, por edhe kruen e komitetit kombëtar të Partisë Demokratike, Howard Dean, i cili e cilësoi këtë javë si thjeshtë të gabuar idenë se Shtetet e Bashkuara mund të fitojnë në Irak.

XS
SM
MD
LG