Lidhje

Irak: Sulm vetvrasës në një autobus në Bagdat, të paktën 30 të vdekur


Një person kreu një sulm vetvrasës, duke shkaktuar vdekjen e të paktën 30 personave në një autobus në Bagdad. Shkallëzimi i dhunës vazhdon një javë para zgjedhjeve parlamentare të Irakut. Policia dhe dëshmitarët thonë se autori i sulmit hipi në autobus pak para se të nisej për Nasiriyah, qytet shiit në jug të kryeqytetit.

Gjetkë, ushtria amerikane thotë se një ushtar amerikan u vra në Bagdadin lindor kur autokolona e tij ndeshi në një bombë të vendosur në anë të rrugës.

Ndërkohë, kanali arab i transmetimeve Al-Jazeera njoftoi se kryengritësit që po mbajnë katër pengje perëndimorë e kanë shtyrë afatin për t’i vrarë ata deri të shtunën. Rrëmbyesit thanë fillimisht se do t’i vrisnin të katërt sot nëse nuk do të liroheshin të gjithë të ndaluarit nga burgjet irakiane.

Sekretari britanik i mbrojtjes tha se hetimet mbi rrëzimin e një aeroplani ushtarak britanik transporti janarin e kaluar në Bagdad, tregojnë se shkaktar mund të ketë qenë zjarri armik. Ky incident shkaktoi vdekjen e 10 ushtarëve britanikë.

XS
SM
MD
LG