Lidhje

Ndërsa hidhet shorti për finalet e Botërorit, Gjermania bën përgatitjet për ngjarjen kryesore të futbollit


Shorti për të përcaktuar ndeshjet e raundit të parë të finaleve të Botërorit 2006 të Futbollit në Gjermani hidhet sot në Laipcig, një nga të 12 qytetet ku do të luhen ndeshjet qershorin e ardhshëm. Korrespondenti ynë, Parke Brewer, u kthye kohët e fundit nga Gjermania dhe na sjell një reportazh mbi përgatitjet për ngjarjen kryesore të futbollit.

Ceremonia e hapjes së Finaleve të Kampionatit Botëror të Futbollit do të zhvillohet në stadiumin olimpik të Berlinit më 7 qershor. Është hera e parë që FIFA ka planifikuar një ceremoni kaq madhështore si siparin e finaleve.

Megjithatë ceremonia u desh të zhvendosej nga 8 më 7 qershor. Zyrtari i finaleve për Berlinin, ish-lojtari i kombëtares, Mihael Prec, i tha Zërit të Amerikës se fusha ka nevojë për më shumë kohë.

“Do të presim mijëra spektatorë për këtë mbrëmje madhështore në Berlin dhe fusha e pikërisht bari do të duan kohë për të marrë veten. Kjo është dhe arësyeja që ne kërkuam një ditë më tepër në mënyrë që ta kishim fushën në gjendje të mirë për ndeshjen e parë në Berlin”.

E para e 6 ndeshjeve të Berlinit do të zhvillohet më 13 qershor, ndërkohë që ndeshja e parë e finaleve do të luhet në Mynih më 9 qershor.

Shumë vizitorë do të mbërrijnë me tren dhe kryeqyteti Berlin do të ketë një stacion gjigand treni, i cili pritet të jetë plotësisht gati për Kupën e Botës. Stacioni do të përballojë fluksin e trenave ndërkombëtarë, vendas dhe të metrosë. Ai do të ketë gjithashtu një kompleks të madh zyrash, si dhe një autostradë të nëndheshme. Ingulf Lojshël është zyrtari i ngarkuar me oraret dhe infrastrukturën.

“Do të fillojmë një orar krejtësisht të ri trenash për të gjithë Gjermaninë dhe veçanërisht gjatë finaleve do të kemi në funskionim trena shtesë. Nganjëherë do të përdorim trena me numër të dyfishuar vagonash”.

Për ata që do të udhëtojnë me makinë apo autobus, në rrugët pranë stadiumeve do të vendosen tabela të posaçme. I ngarkuari me trafikun gjatë finaleve, Josef Simons, tha për Zërin e Amerikës se spektatorët do të orientohen në bazë të shenjave me ngjyra të veçanta për të gjetur seksionin dhe vendin e tyre.

“Të gjitha stadiumet janë të ndara në katër zona me ngjyra të ndryshme dhe çdo spektator ka një shenjë të posaçme në biletë. Për këto finale duam të vëmë në jetë një sistem udhërrëfyes trafiku që do të përdorë këto ngjyra”.

Puna vazhdon jashtë dhe brenda 12 stadiumeve, ku do të luhen finalet e Botërorit 2006, dhe në pjesën më të madhe është punë kozmetike. Nënpresidenti i Komisionit Gjerman të Organizimit,Volfang Nirsbah, i tha Zërit të Amerikës se është optimist se përgatitjet do të përfundojnë në kohë.

“Jemi të kënaqur plotësisht. Mesazhi kryesor është pa dyshim se të 12 stadiumet do të jenë gati në kohë. Por ndërmjet edicionit të tanishëm të Bundesligës dhe finaleve të kampionatit botëror do të na duhet të bëjmë shumë në sejcilin prej stadiumeve, sidomos përsa i përket fushës. Objektivi ynë është të kemi fusha të reja gati për finalet dhe do ta arrijmë”.

Tani, sportdashësit po presim me ankth shortin për të zbuluar se me cilin ekip do të luajë skuadra e tyre e zemrës, dhe në cilin stadium kur të fillojnë finalet e kampionatit botëror në qershor.

XS
SM
MD
LG