Lidhje

Mediu:Politika shqiptare ka probleme në kuptimin e të drejtës së pronës


Ministrat e Mbrojtjes nga vende të Evropës Juglindore u mblodhën këtë javë në Uashington për të marrë pjesë në Konferencën Ministrore të Mbrojtjes të Vendeve të rajonit. Konferenca u krijua para 10 vjetësh me nismën e Shteteve të Bashkuara për të nxitur sigurimin rajonal. Në takim morri pjesë edhe ministri shqiptar i mbrojtjes zoti Fatmir Mediu të cilit i morëm një intervistë në emisionin Ditari:

Zëri i Amerikës: Zoti Mediu, përveç pjesëmarrjes në konferencë ju keni zhvilluar një sërë takimesh të tjera, në se mund të na jepni një përmbledhje të shkurtër të aktivitetit tuaj këto ditë në Uashington?

Fatmir Mediu: Natyrisht, kur vjen në Uashington duhet të përpiqesh të kapësh të gjitha përmasat e institucioneve amerikane dhe të interesave që kemi ne si vend në raport me Amerikën. Kam patur takime të rëndësishme në Departamentin e Shtetit përgjithësisht të fokusuara me çështjet e Natos, në Shtëpinë e Bardhë, kongres dhe senat, me figura të rëndësishme që ndikojnë në politikën amerikane. Qëllimi ka qënë për t'i informuar rreth zhvillimeve në Shqipëri, pozicionet që kemi marrë në reformimin e forcave të armatosura, bashkërendimit me institucionet e tjera për faktin se integrimi në Nato nuk është thjesht një reformë e forcave të armatosura por përfshin reforma politike, ekonomike, institucionale dhe për të marrë angazhimin që në samitin e ardhshëm do të ketë një njohje të përparimit që ka bërë Shqipëria. Mendoj se ka një qëndrim tashmë të përcaktuar të Shteteve të Bashkuara për këtë çështje dhe të konsiderohet kandidatura e Shqipërisë për anëtarësim në samitin e ardhshëm të zgjerimit të Natos. Mendoj që deri tani kemi një kuptim të qartë për marrëdhëniet në kuadër të Natos por sidomos për marrëdhëniet bilaterale të cilat i diskutuam në takimin me Sekretarin e Mbrojtjes, zotin Ramsfeld gjatë takimit bilateral por edhe gjatë mundësive që na u dhanë gjatë aktivitetit që u zhvillua me rastin e 10 vjetorit të konferencës ministrore këtu në Uashington. Kam patur kontakte të rëndësishme edhe me një nga firmat më prestigjoze amerikane, Lockheed Martin që është prezent në Shqipëri, ka edhe një projekt tjetër në vazhdim dhe ka mundësi për tu angazhuar akoma më tej. Mendoj që ky bashkëpunim është shumë i rëndësishëm jo vetëm në aspektin e biznesit por edhe në marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve.

Zëri i Amerikës: Zoti Mediu, doja të ndalesha tek konferenca ku morrët pjesë, ku u njohët me një për disa plane për riorganizimin e trupave të Natos në Kosovë. Në se mund të na jepni ndonjë hollësi lidhur me këto plane?

Fatmir Mediu: Admirali Ulrich në mënyrë të qartë prezantoi gjithë situatën në Kosovë, jo vetëm në aspektin ushtarak por edhe në atë politik dhe ekonomik, problemet që janë. Natyrisht, që Nato-ja ka arritur në një konkluzion për një riorganizim tjetër të vetë Natos për të garantuar sigurinë në Kosovë. Ky riorganizim është pak a shumë në specifikat e aspektit ushtarak të strukturave të Natos për të arritur që të kenë kontroll mbi sigurinë dhe gjendjen në Kosovë, sidomos gjatë diskutimit të statusit të Kosovës, për të shmangur çdo lloj keqkuptimi apo problemi gjatë diskutimit të këtij statusi. Pra garantimi i një sigurie normale por edhe i sigurisë së vazhdimësisë normale të zhvillimit të bisedimeve.

Zëri i Amerikës: Shqipëria ka marrë një sërë angazhimesh ambicioze që nga operacionet që zhvilloni me Naton, operacionet në Irak dhe Afganistan. Sigurisht që synimi i qeverisë është një anëtarësim i shpejtë në Nato. Çfarë reformash ekonomike dhe politike kanë mbetur pa u plotësuar për një anëtarësim të tillë?

Fatmir Mediu: Anëtarësimi në Nato, përfshin një gamë të tërë reformash dhe këtu është edhe ndoshta e mira e faktit që platforma, pjesa politike e integrimit në Nato apo institucionale bashkërendon me pjesën e integrimit në Bashkimin Evropian. Qeveria shqiptare e ka parë këtë si një lloj bashkërendimi të politikave dhe mendoj që ka një angazhim shumë serioz në këtë aspekt. Çdo vit ne diskutojmë në Bruksel në kuadër të “membership action-plan” të gjitha iniciativat që ndërmerren jo vetëm nga forcat e armatosura por edhe nga dikastere të tjera në aspektin ekonomik, institucional, diplomatik e kështu me rradhë, të luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Mendoj që rezultatet kanë qënë krejt të dukshme, vlerësimi ka qënë maksimal. Në takimin që pata në Bruksel herën e fundit me sekretarin Shefer dhe me gjeneralin Xhons u vlerësua përgatitja e Shqipërisë për anëtarësimin në Nato. Natyrisht ka hapa të tjerë që duhen bërë. Unë flas për fushën konkrete që mbuloj, për ministrinë e mbrojtjes, ka probleme që kanë të bëjnë me modernizimin për të arritur standartet e duhura, ka të bëjë me strukturimin, dhe elementë të tjerë të cilat ne jemi në planifikim në bashkëpunim edhe me bashrendim të politikave me vendet anëtare të Natos, sidomos me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Zëri i Amerikës: Le të kalojmë pak tek shkurtimet që janë bërë në administratën publike. Çfarë ndikimi do të kenë ato në ministrinë që ju drejtoni. Edhe për buxhetin është folur, a keni ju buxhet të mjaftueshëm për këto ristrukturime që përmendët?

Fatmir Mediu: Së pari dua të theksoj që ideja e shkurtimit të shpenzimeve dhe zvogëlimit të qeverisë ka të bëjë me përdorimin më të mirë të parave të taksapaguesve shqiptarë që ato të orientohen në drejtimin e duhur. Mendoj që shkurtimi i këtyre shpenzimeve ndihmojnë në mënyrë shumë thelbësore në përcaktimin e disa politikave të qenësishme të qeverisë shqiptare në planifikimin e buxhetit, në asistencën konkrete dhe ndihmën që u dhanë në fushën e shëndetësisë, arsimit, në ngritjen e pagave, në investime të cilat janë të rëndësishme. Natyrisht këtu është përfshirë edhe ministria e mbrojtjes për të patur një administratë që të jetë fleksibël dhe jo që të krijojë probleme. Megjithatë dua të them që Ministria e Mbrojtjes ka qënë disi më e avancuar sesa ministritë e tjera, sepse prej kohësh kemi zbatuar një planifikim të vetë strukturës së Ministrisë së Mbrojtjes në përputhje me standartet dhe politikat e Natos, të bashkërendimit të administratës civile me administratën e shtabit të përgjithshëm. Përsa i përket mbështetjes financiare dua të them që Ministria e Mbrojtjes realizon tashmë atë kërkesë që ka përcaktuar parlamenti shqiptar për ngritjen e buxhetit me zero prej një përqind të GDP-së në një vlerë totale që është zero presje pesë përqind si vlerë financiare, më tej shkon në ngritjen e pagave të ulta dhe vlerat e shpenzimeve suplementare për ushtarakët kalon mbi zero pikë një përqind.

Zëri i Amerikës: Zoti Mediu, doja të kaloja në një çështje tjetër, atë të ligjit për kthimin dhe kompensimin e pronave. Partia juaj ka qënë mjaft kritike. Cilat janë pikat e këtij projekt-ligji që ende ju ndajnë dhe sa do të ndikoni ju në ndryshimin e tij?

Fatmir Mediu: Mendoj që përgjithësisht politika shqiptare ka një problem në kuptimin e të drejtave dhe në rastin konkret të të drejtës së pronës. Kush janë limitet e veprimit të qeverisë? Dhe ato që janë të drejta kushtetuese dhe të drejta të përcaktuara nga konventat evropiane, të drejtat e detyruara për zbatim. Një nga nenet problematike të këtij projekt-ligji që padyshim shënon një përmirësim në raport me ligjin që ka qënë është fakti që përsëri kufizohet e drejta e kompensimit të pronës në një vlerë rreth 100 hektarë në një kohë që kushtetuta e ka – moscënim të kufizimit të së drejtës së pronës, të paracaktuar ashtu siç e ka edhe konventa evropiane e të drejtave të njeriut. Nga ana tjetër mendoj që ka elementë që duhen parë me një vëmendje shumë të madhe në momentet e kompensimit që kanë të bëjnë qoftë me listimin e pronësive të mundshme, por edhe me rishikimin e të gjithë legjislacionit që ka të bëjë me pronën private. Në mënyrës se si është zbatuar, mendoj se ka abuzime dhe vjedhje të jashtëzakonshme. Ne kemi ngritur në mënyrë të vazhdueshme çështjen për ligjin për tokat e fermave bujqësore. Në gjykimin tonë janë rreth 120 mijë hektarë të cilat janë marrë në mënyrë të padrejtë në kundërshtim me ligjin që do të ishte një sasi krejt e mjaftueshme për të garantuar kompensimin fizik pronarëve dhe për të ulur faturën financiare. Por besoj që do të kemi mirëkuptim – ne kërkojmë që me një nenë të veçantë të këtij ligji të vendoset që të ndërtohet një institucion inspektoriati për kontrollin dhe verifikimin e të gjithë zbatimit të legjislacionit. Edhe përsa i përket ligjit 7501 që janë bërë shumë debate deri tani, abrogohet apo nuk abrogohet unë mendoj që 7501 është abroguar që në fillim të aplikimit ...

Zëri i Amerikës: ... megjithatë këto janë çështje teknike që nuk kemi kohë t'i diskutojmë...

Fatmir Mediu: Dua të them që është një çështje që në qoftë se nuk do të zgjidhet do të krijojë probleme shumë të mëdha në zhvillimin ekonomik të vendit dhe në raportet politike dhe sociale.

Zëri i Amerikës: Ndoshta edhe në koalicioni që partia juaj ka me qeverinë?

Fatmir Mediu: Mendoj që kemi patur një ndarje të qartë të pozicioneve që nuk besoj se krijojnë tensione krejt të pallogjikshme, por mendoj se jemi në mbështetje të qytetarëve shqiptarë dhe zgjidhjes së çështjes së pronarëve.

XS
SM
MD
LG