Lidhje

Presidenti Bush vazhdon përpjekjet për mbështetje të politikës së tij në Irak


Presidenti Bush do të flasë nesër (12 dhjetor) në Filadelfia, ndërkohë që vazhdon përpjekjet për të siguruar më shumë mbështetje brenda vendit për luftën në Irak. Demokratët e opozitës, ende nuk kanë formuluar një qëndrim të njejtë përsa i përket politikës ndaj Irakut.

Demokratët ishin të ndarë në përkrahjen e Presidentit Bush para luftës në Irak dhe akoma vazhdojnë të jenë të përçarë rreth asaj se çfarë duhet të ndodhë më pas. Debati brenda demokratëve u intesifikua më tej, pas propozimit të fundit nga ligjvënësi demokrat John Murtha i Pensilvanisë, për tërheqjen e menjëhershme me faza të trupave amerikane.

Ligjvënësi Murtha është një demokrat konservator, veteran i dekoruar për shërbimin në Vietnam dhe mbështetës i fuqishëm i ushtrisë. Vendimi i tij për t’u kthyer kundër luftës, shkaktoi valë tronditëse në gjirin e Partisë Demokrate. “Nuk ka të bëjë me mua. Ka të bëjë me ato që ka thënë publiku prej kohësh. Publiku ka qënë prej kohësh para administratës dhe para Kongresit në këtë drejtim”.

Një tjetër demokrat me ide pesimiste rreth Irakut është edhe kryetari i Partisë Demokrate, ish guvernatori i Vermontit Howard Dean. Ai foli para pak ditësh në një radio në Texas: Uroj që presidenti t’i kishte kushtuar më shumë kujdes historisë së Irakut, para futjes tonë atje. Ideja se ne do ta fitojmë këtë luftë është një ide që është tërësisht e gabuar. Republikanët reaguan menjëherë pas komenteve të zotit Dean duke i dënuar ato. Kritika ndaj tij bënë edhe politikanë nga brenda vetë partisë demokrate, që janë kundër tërheqjes së shpejtë nga Iraku.

Senatori Joseph Liberman, demokrat nga shteti Cennecticut, është një mbështetës i fuqishëm i politikës së presidentit Bush në Irak: Humbja nuk është alternativë. Fitorja në Irak do t’i kushtojë shtrenjtë Amerikës, por kostoja e humbjes do të ishte katastrofike. Për disa muaj me radhë, anketat e opinionit publik tregojnë për një rënie të mbështetjes për luftën dhe shumica e amerikanëve tani besojnë se lufta në Irak ishte gabim. Por analistët politikë thonë se debati i Partisë Demokrate rreth Irakut pasqyron paqartësitë në rritje të publikut rreth asaj që Shtetet e Bashkuara duhet të bëjnë tani.

Larry Sabato drejton Qendrën për Politikë në Universitetin e Virxhinias: Demokratët janë të ndarë në këtë pikë, dhe mendoj se këtë e ka vënë re shumica e popullit amerikan. Partia Demokrate është për pothuajse tërheqje të menjëhershme. Populli amerikan nuk e thotë një gjë të tillë. Mes atyre që përkrahin propozimin e ligjvënësit Murtha për tërheqje me faza është edhe udhëheqësja demokrate në Dhomën e Përfaqësuesve, ligjvënësja Nancy Pelosi e Kalifornisë. Por deri tani, shumica e demokratëve nuk kanë pranuar të përkrahin propozimin e zotit Murtha dhe ligjvënësja Pelosi thotë se nuk ka një përpjekje të organizaur që demokratët të bashkohen rreth një plani të caktuar, alternativ për Irakun.

Shumë analistë thonë se duke qënë se pakënaqësitë për Irakun janë të larta për momentin, ata shohin një shans të mirë për Demokratët që të korrin sukses në zgjedhjet e vitit 2006 për të 435 vendet e Dhomës së Perfaqësuesve dhe një-të-tretën e 100 vendeve të Seantit. Por eksperti politik nga Universiteti i Merilendit, Bill Galston, thotë se do të shtohet presioni ndaj demokratëve që të paraqesin një plan më të detajuar rreth asaj që duhet bërë për Irakun si dhe politikën amerikane në përgjithësi: Partia Demokrate ka patur një problem me politikën e jashtëme që nga koha e Vietnamit. Për shkaqe të ndryshme, ky problem nuk është trajtuar tërësisht. Tani është e qartë se ka ardhur koha për Partinë Demokrate që të dalë me një qëndrim për politikën e jashtme.

Ligjvënësit republikanë gjithashtu po shpresojnë për lajme të mira nga Iraku në vitin që vjen, që do të ndihmonte të ardhmen e tyre politike. Ata shqetësohen se pesimizmi i publikut rreth Irakut mund t’u jap shans demokratëve që të kenë sukses në zgjedhjet për Kongres vitin që vjen.

XS
SM
MD
LG