Lidhje

Presidenti iranian Ahmadinexhad përpiqet të hedhë poshtë Holokaustin si fakt historik


Presidenti iranian Mahmud Ahmadinexhad tha se Izraeli duhet të lëvizet në Evropë. Duke folur në një konferencë shtypi në Mekë të Arabisë Saudite, ai gjithashtu u përpoq të mohonte se Holokausti ka ndodhur. “Disa vende evropiane këmbëngulin, duke thënë se Hitleri vrau miliona hebrenj të pafajshëm në dhoma gazi. Megjithëse ne nuk e pranojmë këtë pretendim”, tha ai, “nëse supozojmë se është i vërtetë, evropianët, duhet t’u japin zionistëve disa prej provincave të tyre në Evropë në të cilat zionistët mund të krijojnë shtetin e tyre në atë kontinent”. Në fakt, Gjermania naziste nën diktatorin Adolf Hitler vrau rreth 6 milionë hebrenj të Evropës bashkë me miliona të tjerë gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Zëdhënësi i departamentit amerikan të shtetit, Adam Ereli, i dënoi komentet e presidentit të Iranit. “Këto komente të fundit janë qartazi indinjuese edhe të dënueshme. Ato me siguri që nuk nxisin shpresa mes asnjërit prej nesh në komunitetin ndërkombëtar se qeveria e Iranit është gati të angazhohet si një anëtare e përgjegjshme e këtij komuniteti. Këto komente janë pjesë e asaj që duket si model i një retorike, që është si armiqsore ashtu edhe e shkëputur nga vlerat, që respektojmë ne të gjithë në komunitetin ndërkombëtar”.

Në një fjalim që mbajti në Teheran në muajin tetor, Presidenti Ahmadinexhad tha se Izraeli duhet të fshihet nga harta e botës. Nën-sekretari amerikan i shtetit për çështje politike, Nicholas Burns, tha se zoti Ahmadinexhad dhe qeveria e tij po ndjekin një politikë të jashtme konfrontimi dhe tejet ideologjike, që po e izolon Iranin. “Në muajin shtator në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, Ahmadinexhadi e bëri botën të shtanget me një fjalim me tone shumë të ashpra gjatë të cilit ai këmbënguli se Irani do të vazhdojë veprimtarinë e tij bërthamore kundër dëshirës së shumicës së vendeve anëtare të Asamblesë së Përgjithshme. Ai është mbështetur tek komanda e Korpusit të Gardës Revolucionare Iraniane për të mbushur shumë prej posteve të kabinetit... Ahmadinexhadi bëri thirrje për zhdukjen e Izraelit nga faqja e dheut dhe më pas e mbrojti këtë deklaratë tronditëse kur i gjithë komuniteti ndërkombëtar e hodhi poshtë atë. Nëpërmjet këtyre deklaratave dhe veprimeve, presidenti Ahmadinexhad po hap një gropë për veten e tij dhe duket se ai është i vendosur të vazhdojë ta thellojë këtë gropë.”

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Scott McClellan tha se komentet e fundit të zotit Ahmadinexhad lidhur me Izraelin nënvizojnë edhe më tepër shqetësimet amerikane rreth rregjimit të Iranit.

Dhe kjo është një arsye edhe më e fortë se pse është e rëndësishme që regjimi iranian të mos ketë aftësinë për të prodhuar armë bërthamore.

XS
SM
MD
LG