Lidhje

Sjekel: Rritja e të ardhurave nga taksat do të kërkojë kohë


Shefi i misionit të Fondit Monetar për Shqipërinë, Istvan Sjekel thotë se rritja e të ardhurave nga taksat do të kërkojë një kohë të gjatë dhe ndryshimi i kulturës së institucioneve që merren me grumbullimin e tyre është i vështirë.

Ndërsa politikanët në Tiranë debatojnë dhe kritikojnë shifrat në projekt-buxhetin e ri, këtu në Uashington, shefi i misionit të FMN-së, Istvan Sjekel shprehet i kënaqur ndaj angazhimit të qeverisë shqiptare për realizimin e reformave të rëndësishme strukturore që parashikohen në programin tre-vjeçar.

"Në këtë program ka reforma të rëndësishme strukturore në fushën e administrimit dhe politikave të taksave ku arritëm mirëkuptim të plotë. Qeveria ka formuluar një plan veprimi bazuar në rekomandimet e ekspertëve tanë dhe po punohet për zbatimin e tij”.

Zëri i Amerikës: Projekt buxheti i sivjetshëm është një nga më të debatueshmit mes partive politike. Çfarë ndryshimi do të sjellë programi i ri i FMN-së në krahasim me atë të kaluarin?

Itsvan Sjekel: Këtë herë insistuam të ketë më shumë rezerva në buxhet. Rezervat duhen parë si rripat e sigurimit në makinë që nuk hyjnë në punë përveçse kur bën aksident. Rezervat duhen në rast se nuk dalin parashikimet ose në rast se ndodhin situata të papritura si kriza energjitike.

Zëri i Amerikës: Politika e taksave është kritikuar në të kaluarën si jo funksionale për të grumbulluar taksat nga bizneset e vogla. Sipas opinionit tuaj, a ka kontroll dhe procedura të mjaftueshme që do të lejojnë qeverinë për të rritur të ardhurat nga taksat?

Itsvan Sjekel: Ritja e numrit të taksapaguesve kërkon përmirësimin e procesit të grumbullimit të taksave dhe pakësimin e ekonomisë informale. Ky është një proces që zgjat dhe në shumë vende, sipas përvojës që kemi, kërkohet të paktën një vit kohë ose më shumë. Sigurisht shpresojmë që Shqipëria të jetë më e shpejtë në këtë drejtim. Qeverisë ka hartuar një plan pune për zbatimin e kësaj reforme taksore që duket i arësyeshëm dhe FMNja po punon me të në këtë drejtim. Jemi gati të japim ndihmë të mëtejshme teknike nëse është e nevojshme. Personalisht jam i bindur se të gjithë ata që po merren me zbatimin e reformës janë të angazhuar seriozisht dhe të aftë por kjo aftësi kërkohet jo vetëm në nivel ministror por edhe deri tek punonjësi i thjeshtë i taksave, kështu që do të duhet kohë të ndryshojë mentaliteti dhe kultura e institucioneve. Shpresojmë që ky proces të fillojë dhe të jetë i suksesshëm.

Zëri i Amerikës: Ritmi i rritjes ekonomike parashikohet të jetë më i ulët, nga 6 përdindëshi, në 5 përqind. Ju keni përmendur krizën energjitike si një nga faktorët. A ka faktorë të tjerë që pritet të sjellin këtë ulje, dhe përse Shqipëria nuk ka rritme më të larta të ritjes ekonomike?

Istvan Sjekel: Ka faktorë të tjerë që tregojnë se rritja do të jetë më e ulët, veçanërisht ulja e eksporteve të tekstilit, baza kryesore e ekportit. Por mendojmë se me reformat strukturore të përfshira në program, rritja do të shkojë 6 përqind në një afat të shkurtër pasi Shqipëria ka potencial rritjeje por ka nevojë edhe për reformën strukturore. Këto reforma që përfshijnë përmirësimin e grumbullimit të të ardhurave nga taksat dhe doganat, nuk janë të rëndësishme vetëm për shtimin e të ardhurave të qeverisë por edhe për të ulur koston e biznesit, në përgjithësi për të përmirësuar shërbimet për taksapaguesit. Gjithashtu energjia elektrike është një faktor që i vë në disavantazh prodhuesit shqiptarë. Duke u përqëndruar në reformat e administrimit të ardhurave ne shpresojmë të përmirësojmë mjedisin e biznesit dhe përmes reformave të taksave që do të diskutojmë me qeverinë shpresojmë të krijojmë një ambjent më të mirë për investimet private dhe për të nxitur krijimin e vendeve të reja të punës.

Megjithëse pranon që vendit i ka munguar një plan afatgjatë për të krijuar avantazhe konkuruese në një industri specifike, zoti Szekely thotë se FMNja e ndihmon Shqipërinë për të zbatuar politika të drejta tregëtare, fiskale dhe monetare që kërkojnë edhe kushte të tjera për një rritje ekonomike, sidomos në infrastrukturë, energji dhe fuqi punëtore të kualifikuar. Megjithë qëndrueshmërinë e mirë makro-ekonomike, Shqipërisë do ti duhet të përdorë më mirë, thotë ai, ndihmat e dhëna nga institucionet e tjera të zhvillimit.

XS
SM
MD
LG