Lidhje

Bashkimi Evropian pranoi Maqedoninë si kandidate për anëtarësim


Bashkimi Evropian pranoi Maqedoninë si kandidate për anëtarësim, por shtoi se hyrja e saj në organizatë nuk do të shqyrtohet derisa vetë organizata të ketë hartuar një strategji zgjerimi. Udhëheqësit evropianë vendosën ta pranonin këtë vend ballkanik si kandidat për anëtar, pas përfundimit mbrëmë pas mesnate, të bisedimeve mbi buxhetin në Bruksel.

Udhëheqësit evropianë thanë se Maqedonia ka arritur përparim të madh në plotësimin e kritereve të anëtarësimit, por gjithsesi ata nuk i ofruan këtij vendi ndonjë afat kohor. Zyrtarët thanë se para se të shqyrtojnë shtimin e radhëve me anëtarë të rinj, ata duhet të debatojnë rreth strategjisë së zgjerimit, siç ka kërkuar Franca.

Kryeministri maqedonas, Vlado Buçkovski, tha se pranimi i vendit të tij është vlerësim për gjithë arritjet e Maqedonisë gjatë viteve të fundit. Komisioneri i Bashkimit Evropian për zgjerimin Olli Rehn, tha se vendimi ishte një sinjal politik për vendet e Ballkanit Perëndimor se Bashkimi do të krijojë lidhje me këto vende në se ato plotësojnë kërkesat e organizatës.

XS
SM
MD
LG