Lidhje

OBT: Negociatorët në Hong Kong arrijnë marrëveshje


Të 149 anëtarët e Organizatës Botërore të Tregëtisë në Hong Kong miratuan një marrëveshje kompromisi për të nxitur tregëtinë e lirë dhe për të eliminuar gradualisht subvencionet e eksporteve bujqësore. Vendet e pasura ranë dakort të heqin subvencionet e eksporteve bujqësore deri në vitin 2013.

Subvencionet që vendet e pasura u paguajnë fermerëve të tyre e bëjnë të vështirë për vendet e varfëra të tregëtojnë mallrat e tyre. Subvencionet e eksportit të pambukut do të eleminohen deri në vitin 2006. Vendet e pasura premtuan gjithashtu tregëti pa kuota dhe tarifa për vendet e varfëra. Kuotat dhe tarifat do të fillojnë të hiqen në vitin 2008 ose pasi të përfundojë një marrëveshje e përgjithshme e Organizatës Botërore të Tregëtisë.

Ndërkohë mijëra protestues kundër globalizmit marshuan në mënyrë paqësore sot në demonstratën e fundit të planifikuar kundër takimit të Organizatës Botërore të Tregëtisë . Marshimi përfundoi rreth 500 metra larg zonës ku zhvillohej takimi. Sot nuk pati përleshje midis policisë dhe protestuesve të cilët u larguan qetësisht. Dje policia përdori gazin lotsjellës dhe pompat e ujit për të shpërndarë protestuesit. Qeveria e Hong Kongut tha se rreth 100 persona u plagosën, përfshi 39 policë.

XS
SM
MD
LG